Azemi: Rreth 45 mijë punëtorë e të rinj u larguan nga Kosova sivjet, po ikin nga kushtet e rënda

10:25 | 21 Nëntor 2026
vdekjet-ne-vendet-e-punes,-kmdlnj:-32-viktima-gjate-vitit-te-kaluar,-punetoret-ende-pa-mbrojtje

Largimi i qytetarëve nga Kosova po shndërrohet në një sfidë serioze për ekonominë dhe tregun e punës në vend.

Pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës, mungesa e sigurisë dhe pabarazia në trajtimin e punëtorëve të sektorit privat po i shtyjnë shumë qytetarë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Përderisa kompanitë po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, shqetësues mbetet edhe largimi i punëtorëve të kualifikuar, duke rrezikuar zhvillimin e bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

Për këtë situatë ka ngritur shqetësimin edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili për Ekonomia Online ka kritikuar institucionet për mungesën e masave konkrete në mbrojtje dhe përkrahje të punëtorëve.

Azemi ka deklaruar se vetëm sivjet janë dikund rreth 45 mijë punëtorë dhe të rinj që e kanë lëshuar vendin.

“Por të dhënat përafërsisht janë që dikund rreth 45.000 mijë punëtorë dhe të rinj e kanë lëshuar Kosovën gjatë këtij viti. Shkak kryesor është gjendja ekonomike sociale shumë e rëndë. Shkak është ajo që në rend të parë Qeveria nuk ka bë pothuajse gati asgjë për këta punëtorë që së paku me mundësitë e saj të ruaj këtë fuqi punëtore që e kemi. Vetë fakti po them që gati mesatarisht 4.500 vetë brenda muajit na ikun. Normal që edhe zyrtarisht doli ATK-ja që dikun rreth 40 mijë punëtorë ende nuk e gëzojnë të drejtën e pagës minimale”, deklaroi Azemi.

Azemi ka ngritur shqetësimin edhe për trajtimin e pabarabartë të punëtorëve të sektorit privat në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se të parët nuk përfitojnë pagën e 13-të.

Ndërsa, ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 24 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës në sektorin privat.

“Vetë fakti që punëtorët e sektorit privat të Kosovës nuk e marrin pagën e 13-të dhe punëtorët e sektorit publik e marrin, që mirë që e marrin, vetë fakti që tek punëtorët e sektorit privat të Kosovës tashmë vetëm këtë vit kemi 24 raste vdekje në vendet e tyre të punës, sepse puna e tyre është me një rrezikshmëri shumë më të lartë, vetë fakti që nuk është orientuar së paku qeveria ta bëjë në aspektin e minimumit atë çka mund ta bëjë, këta punëtorë kanë mbetur në stuhi dhe në shumicën e rasteve orientimi kryesor është ikja nga Kosova”, deklaroi Azemi.

Azemi ka theksuar se punëtorët e sektorit privat kontribuojnë ndjeshëm në buxhetin e Kosovës.

Ai ka kritikuar dallimin në përkrahjen financiare nga Qeveria, duke thënë se për rreth 80 mijë punëtorë të sektorit publik janë ndarë mbi 60 milionë euro, ndërsa për mbi 200 mijë punëtorë të sektorit privat vetëm 10 milionë euro.

“Ne jemi punëtorë të cilët 3/4 e buxhetit të Kosovës e mbushmi ne me pagat tona, sepse jemi trefish më shumë sesa punëtorë të sektorit publik. Ne jemi punëtorë të cilët punojmë trefish më shumë se punëtorët e sektorit publik. Ne jemi ata të cilët trefish prodhojmë më shumë sesa punëtorët e sektorit publik, të cilët në një farë forme janë shpenzues me arsye të shtetit dhe prapë se prapë ata i stimulojnë me pagë të 13-të, kurse për ne së paku nuk e thonë as fjalën më të vogël të mirë. Vetë fakti që edhe para pak kohësh për punëtorë të sektorit publik Qeveria e Kosovës ndau mbi 60 milionë euro për 80 mijë punëtorë, ne jemi mbi 200 mijë punëtorë dhe për neve ndau faktikisht 10 milionë euro, të cilat janë vërtetë një farë forme të pakalueshme,” tha Azemi.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës ka shprehur shqetësimin për mungesën e punëtorëve të kualifikuar në vend, duke thënë se kjo po ndikon drejtpërdrejt në realizimin e projekteve të ndryshme.

Azemi shtoi se shumë kompani po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa punëtorët që po vijnë nga vende si Bangladeshi nuk kanë gjithmonë kualifikimet e nevojshme për të punuar me makineritë bashkëkohore.

Ai theksoi se sindikata do të vazhdojë të kërkojë përmirësimin e kushteve të punëtorëve, përfshirë rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat.

“Kosova qysh moti ka mbet pa fuqi punëtore, në rend të parë. Në rend të dytë, ne kemi ende punëtorë, por nuk kemi punëtorë të kualifikuar të cilët janë të aftë për të kryer punë po themi adekuate, sepse ne i kemi shti, ja u kemi imponuar punëtorëve të cilët kanë qenë të përgatitur profesionalisht, ja u kemi imponuar që ta lëshojnë Kosovën, sepse nuk i kemi paguar, ose nuk kemi krijuar kushte minimale që ne mund ta bëjmë. Dhe për këto arsye, po them, nëse dilni te kompanitë, e shihni, nuk ka kompani në Kosovë që nuk ka mungesë të punëtorëve, e aq më keq që kjo mungesë e punëtorëve është te punëtorët e kualifikuar, sepse po themi, shpeshherë po marrim punëtorë prej Bangladeshit dhe prej vendeve të ndryshme, por megjithatë këta nuk janë ata të cilët mund të kryejnë, për shembull, manipulimin me makina që janë më bashkëkohore, të cilat ne punëtorët vetëm i kemi pasur të kualifikuar. Ne si sindikatë e sektorit privat të Kosovës për të gjtiha këto që i thash pa më herët e në vecanti për pagën minimale që do të kërkojmë që kjo të jetë 600 euro dhe që punëtorëve të sektorit privat t’u ndahet paga e 13-të sigurisht gjatë kësaj jave ose javën tjetër do të thërras kryetarët e shoqatës sindikale dhe do të përgatisim dhe do të bëjmë një potestë para Qeverisë së Kosovës që ta njoftojmë që edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, edhe ne jemi pjesë e atyre punëtorëve që japim më së shumti për Kosovën dhe marrim më së pakti”, potencoi ai.

Ai ka theksuar se punëtorët e sektorit privat po detyrohen të punojnë në shi, borë dhe temperatura të ulëta, duke shtuar se po ndihen të diskriminuar sa i përket pagës së 13-të.

“Po shumë normale, si mos jemi të diskriminuar sepse sot kur dalë, nëse del jashtë për shembull, sheh punëtorë të sektorit privat të cilët punojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda, në shi, në borë, në temperatura jashtëzakonisht shumë të vogla dhe normal e japin maksimumin e vetëm qëndrimin në shi në këto kohëra është shumë i rëndë e mos të flasim edhe për punët e tyre që duhet me i kryer. Dhe të marrim ne, të marrim ne po them sepse po them të marrin punëtorët të cilët qëndrojnë gjatë gjithë kohës në temperatura, po them janë jashtëzakonisht të mira brenda dhe të mos marrin ata, po them është diçka që jo edhe në aspekt ligjor, por edhe në aspekt njerëzor nuk është e kapshme. Por, fakti që këto padrejtësi janë bërë dhe kjo ikje kaq e madhe e punëtorëve që vërtetë unë mendoj që në në dhjetë vjetëshin e fundit janë mbi 500 mijë punëtorë që e kanë lëshuar Kosovën. Nuk e kanë lëshuar nga dëshira, por e kanë lëshuar nga imponimi” deklaroi ai.

Sipas të dhënave të Institutit GAP, gjatë vitit 2025 shtetasve të Kosovës iu lëshuan 43 mijë e 747 leje të para të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian. Prej tyre, 28 mijë e 566 u lëshuan nga Gjermania, e cila prin me numrin më të madh të lejeve, e ndjekur nga Italia me 3 mijë e 795 dhe Sllovenia me 3 mijë e 733 leje.

Kurse, rreth 99 për qind e lejeve të qëndrimit u lëshuan nga vetëm dhjetë shtete të BE-së./EO/

Komento: