Behgjet Pacolli ndihet i tradhëtuar nga Agim Bahtiri për fabrikën e kërpudhave: Ata që flasin nuk veprojnë

21:38 | 01 Dhjetor 2021

Pacolli thotë se Bahtiri e mashtroi për fabrikën e kërpudhave: Ata që flasin nuk veprojnë.

Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli po hedh akuza ndaj ish-kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri për shkak të “mashtrimit” siç e quan ai me fabrikën e kërpudhave.

Pacolli ka thënë për Klan Kosovën se Bahtiri i ka premtuar që do të ndërtojë fabrika, por sipas tij ai ka dështuar.

Ai thotë se ata që flasin nuk veprojnë, shkruan Reporteri.

“Zoti Bahtiri ka premtuar se do të ndërtojë fabrika, por ata që flasin ata nuk veprojnë. Do të thotë kur ka ardhur te veprimi i tij, do të thotë ai ka dështu, nuk ka pasur fabrika aty”, tha Pacolli.

Tutje ai shtoi se edhe besimin që i ka dhënë Bahtirit, ai ia ka keqpërdorur.

“Edhe këtë investim timin, edhe këtë besim që ia bëj atij, ai e keqtrajton e qon fabrikën në tokën e tij. Fabrika edhe sot paguan 34 mijë euro për tokën e tij, kishte thënë në atë kohë që nuk ka pasur tokë. Më vonë e kuptoj se kishte qenë në plot vende tokat në dispozicion e cila ka mundur t’u ipet investitorëve”, tha kreu i AKR-së.

Në anën tjetër, Bahtiri i ka thënë televizionit se ato që thotë Pacolli janë gënjeshtra dhe absurditete.

Sipas Bahtirit, Pacolli ka vetëm 34% të aksioneve derisa qiraja paguhet nga ky dhe bashkëpronarët që janë nga Japonia dhe Franca.

Fabrika e kërpudhave në Mitrovicë ishte një prej premtimeve kryesore të Agim Bahtirit në kohën sa ishte në krye të Mitrovicës.

Kjo fabrikë kishte filluar punën në mars vitit 2016.

Komento: