Behgjet Pacolli paraqitet në Kuvend, pak ditë pasi emri i tij u lidh ngushtë me vrasësin e Liridonës

14:34 | 14 Dhjetor 2023

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli është shfaqur në seancën e Kuvendit të Kosovës, dy javë pas vrasjes së Liridona Ademajt, e që pas këtij krimi po dyshohet se qëndron ish-këshilltari i tij, Naim Murseli i cili tashmë është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim.

Pas tragjedisë që tronditi Kosovën, për të dyshuarin kryesor Naim Murselin, jetën e tij e lidhjet me politikanë të ndryshëm kishte shumë raportime. Por, në veçanti u komentua raporti i tij me Behgjet Pacollin, të cilët jashtë marrëdhënies së punës kishin edhe marrëdhënie shoqërore, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Për raportin me Murselin, ka folur tashmë disa herë edhe Pacolli, i cili nuk mori pjesë në varrimin dhe më pas rivarrimin e së ndjerës, Liridona Murseli, meqenëse tha se ndodhej në Kinë. Pastaj në facebook njoftoi për aktivitet tjera duke u paraqitur nga vende të ndryshme të Azisë.

Lidhja speciale e Murselit me “kosovarin më të pasur në botë” dëshmohet hapur në fotografitë që Murseli i ka të publikuara në profilin e tij në facebook, madje, edhe vet Pacolli. “Poza” në aeroplan privat e pushime nëpër vendet ekzotike të botës janë ato që dominojnë profilin e Murselit.

Megjithatë, pas arrestimit, Pacolli dhe këshilltarët e tij e kanë paraqitur Murselin si njeri “imponues”, teksa vetë kreu i AKR-së ka treguar se e ka ndihmuar në disa iniciativa biznesore që nga viti 2019.

“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”, ka shkruar Pacolli pak ditë pas ngjajes tragjike të vrasjes së Liridona Demajt.

Tutje ai ka treguar se raporti i tyre ka qenë edhe më i fortë, meqë kanë qenë edhe kumbar të një prej fëmijëve të çiftit.

“Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”, shkruante Pacolli.

Kohëve të fundit ai e pati edhe një reagim, për siç tha ai ata që përmendin skenare të ndryshme për të dhe raportin me Murselin.

“Jam shumë i zhgënjyer nga fakti që disa njerëz të pa skrupull, pa asnjë respekt për tragjedinë e ditëve të fundit, për viktimen dhe njerëz tjerë qe nuk kanë lidheshmeri me ngjarjen, imponohen në televizion dhe media të ndryshme ku rrëfejnë, hamendësojnë, gënjejnë dhe shpikin skenarë, thjesht për të thënë diçka. Kështu, këta njerëz faqezinjë përmes ekranit dhe platformave mediatike mundohen të ngatërrojnë publikun me gënjeshtra të pakuptimta, duke krijuar narrativa të shpikura për njerëzit (që nuk kanë asnjë lidhje me rastin). Këta njerëz po u shkaktojnë dhembje, atyre, fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Këta duhet të përgjigjen para drejtësisë!”, shkroi Pacolli pak ditë më parë.

Naim Murseli, i dyshuar për organizimin e vrasjes së ish-bashkëshortes, Liridona Ademaj aktualisht ndodhet në paraburgim.

Gjatë ditës së djeshme Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

Komento: