Një lajm bombastik ka ardhur nga Italia.
Skuadra e Serie C e Italisë, Monza, është duke menduar seriozisht për transferimin e yllit të futbollit Zlatan Ibrahimoviq.
Adriano Galliani dhe Silvio Berlusconi po synojnë të bashkohen me ish-sulmuesin e Milanit. Monza, të cilën e drejtojnë dy krerët e dikurshëm të Milanit, Berlusconi dhe Galliani, i ka ofruar Ibrahimoviqit kontratë për dy vjet e gjysmë, raportuan mediumet italiane të dielën.
Galliani, ish-shefi ekzekutiv i Milanit, ka pranuar se po bisedon me yllin e futbollit. Konfirmimi për kontratën e ofruar ka ardhur pasi ish-pronari i Milanit, Berlusconi, që bleu Monzan në vitin 2018, ka shprehur dëshirën të ribashkohet me Ibrahimoviqin.
Ibrahimoviq, 38-vjeçar, është lojtar i lirë, ndërsa së fundi luajti për dy stinorë në ligën MLS të SHBA-së me skuadrën LA Galaxy.
“Pasi Berlusconi më dha të drejtën, unë i bëra një ofertë agjentit të Ibrahimoviqit, Mino Raiolas. Ai më ka thënë të flas direkt me Zlatanin, gjë që po e bëj çdo natë. Po i them të vijë te ne, të qëndrojë gjashtë muaj në Serie C. Vitin e ardhshëm jemi në Serie B dhe në dy stinorë është në Serie A”, ka thënë Galliani.