Brenda Manastirit të Banjskës në Zveçan

08:10 | 13 Tetor 2023
brenda-manastirit-te-banjskes-ne-zvecan

Manastiri i Banjskës në Zveçan ishte vendi ku sulmuesit terroristë serbë u vendosën pas sulmit kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator, e ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Ky manastir pësoi dëme për të cilat institucionet e Kosovës u shprehën të gatshme t’i restaurojnë. Restaurimi nisi por jo nga institucionet vendore.

RTK ka arritur të hyjë te vendi ku po kryhen këto restaurime dhe të sigurojë edhe rrëfime prapa kamerës se nga kush po kryhen dhe kur nisën.

Manastiri i Banjskës që ishte strehë e grupit terrorist serb të cilët sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator, ka nisur të restaurohet pas dëmeve që pësoi. Por gjithë kjo punë që po bëhet këtu nuk është e autorizuar nga institucionet e Kosovës e as punimet nuk dihet se nga kush po bëhen.

Prapa kamerës, RTK ka arritur të sigurojë rrëfimin se si nisi restaurimi dhe se si po bëhet. Kryerja e këtyre punimeve po bëhej nga disa persona të cilët i thanë RTK-së se janë nga Serbia dhe po bëjnë punë vullnetare.

Drejtues të këtij manastiri nuk pranuan të flasin derisa përreth objektit shihen punime intensive. Përreth objektit nuk kishte ndonjë shenjë se cila kompani po i kryente punimet.

Me dëmet e këtij Manastiri u njoh edhe shefi BE—së për Kosovë Tomas Syzjong i cili vizitoi Banjskën në mesditën e të enjtes me rast u prit nga drejtues të Manastirit. Në këtë takim, ata qëndruan për një orë, por që pas takimit të njëjtit nuk pranuan të flasin.

Ndërkaq, Ministria e Kulturës, në një përgjigje me shkrim për RTK njofton se aktualisht po mbledh informacione sa u përket ndërhyrjeve në Manastirin e Banjskës. Sipas tyre, Ministria do të dalë me qëndrim zyrtar sapo të ketë diçka konkrete.

Në pamjet e publikuara pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, nga autoritetet e sigurisë së Kosovës,  brenda hapësirës së këtij manastiri u panë pjesëtarë të grupit terrorist në krye me Milan Radoiçiqin.

Por tani në manastir krejt çfarë shihet janë vizitorë të cilët nuk duan të flasin.

Komento: