Bytyqi rrëfen si u luajt ndeshja e parë të Kosovës më 1992

23:06 | 10 Nëntor 2019

Bytyqi tregon për ndeshjen e parë të Kosovës më 1992.

Agim Bytyqi po ashtu ka folur edhe për ndeshjen e parë që Kosova e kishte zhvilluar më 1992. Ka thënë se ajo u zhvillua në Tetovë ndaj Maqedonisë me Ajet Shoshollin si trajner të parë të Kosovës.

Për Sportin Total, Bytyqi ka treguar emocionet që kishte në atë kohë.

“Në vitin 1992, Kosova e ka luajtur ndeshjen e parë në Tetovë kundër Maqedonisë së Veriut. Ndeshjen e ka organizuar Shkëndija. Trajner i parë i Kosovës ka qenë Ajet Shosholli. Atë ndeshje e kemi ftuar. Kemi pasur lojtarë shumë cilësorë në atë kohë. Stadiumi ka qenë plot me shikues. Ka qenë ndeshje shumë emocionuese. Në stadium, shikuesit e kanë kënduar këngën, ‘Oj Kosovë oj nëna ime’. Nuk mund ta përshkruaj atë moment. Unë dhe i ndjeri Bedri Hamza kemi qenë në stadium. Në ato momente më kanë shkuar lotët, ishte moment që sot nuk mund ta përshkruaj. Kosova ka luajtur me fanella kuqezi. Kemi udhëtuar me autobus dhe vetura private. Kur jemi kthyer e kemi marrë një autobus me tabela të Tetovës. Në kufi hyri një polic dhe më pyeti kush jeni ju. Unë i thashë se jemi futbollistët e Kosovës. Ai tha se ju jeni futbollistët e Republikës së Kosovës. Më pyeti pastaj a është Republika e Kosovës. Unë i thashë se jemi veteranët e futbollit të Kosovës, por ai më tha ‘mos u tut, thuaje se jeni Republika e Kosovës’. Pastaj doli. Pas kësaj ndeshjeje, kemi luajtur me Shqipërinë. Kemi luajtur në stadiumin e Dinamos. Ka qenë një sukses i madh që Kosova doli jashtë kufijve”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka treguar edhe për një takim që kishin pasur me ish-presidentin Ibrahim Rugova për të cilin tha se ishin emocionuar të gjithë.

Komento: