Çfarë ndodh me mandatin e deputetes së VV-së që u dënua me burgim, flasin nga IKD

14:00 | 17 Maj 2022

Tashmë është bërë i ditur lajmi për dënimin prej tri vitesh burgim dhe 2 mijë euro gjobë ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Jetmire Vranezi, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Por çfarë ndodh me mandatin e saj? Për Gazetën Express flet Jeton Hasani, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vranezi. Një dënim i tillë është shqiptuar edhe ndaj Islam Thaçit.

Por, hulumtuesi i IKD-së Jeton Hasani thotë për Gazetën Express se një gjë e tillë për momentin nuk prodhon pasoja juridike ndaj deputetes, kjo pasi aktgjykimi dënues nuk është i formës së prerë. Por në rast se dënimi i vërtetohet edhe nga Apeli, “atëherë do të konsiderohet se deputetes Vrenezi i ka përfunduar mandati në mënyrë automatike”, shprehet Hasani.

“Aktgjykimi dënues ndaj deputetes Vrenezi për momentin nuk prodhon pasoja juridike. Kjo për faktin që aktgjykimi dënues ndaj saj ende nuk është i formës së prerë dhe mbetet që Gjykata e Apelit të vendosë lidhur me rastin, po qe se parashtrohet ankesë. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, po qe se vërtetohet dënimi, atëherë do të konsiderohet se deputetes Vrenezi i ka përfunduar mandati në mënyrë automatike me nxjerrjen e aktgjykimit të formës së prerë, ashtu siç edhe përshkruhet në Aktgjykimin KO 95/20 të Gjykatës Kushtetuese. Pastaj ajo do të zëvendësohej nga deputeti tjetër i së njëjtës parti, konform nenit 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, tha Hasani në një përgjigje.

Për rastin është deklaruar shkurt edhe shefja e GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke thënë se paraprakisht i duhet konsultë.

“Për deklarim zyrtar të grupit më duhet konsultë sepse është çështje e ndjeshme dhe serioze”, është shprehur Kusari-Lila.

Sipas njoftimit të Gjykatës, “me datë 19 korrik 2019, dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia” të akuzuarit në cilësinë personave zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K.”

“Të akuzuarin I.Th., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve

– Të akuzuarën J.V., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Komento: