Çmimet e peletit dhe druve në qiell, mund të shtrenjtohet edhe ngrohja nga Termokosi

16:59 | 21 September 2022

Dimri po afron, e qytetarët menjëherë i ka kapur paniku se si do të ngrohen gjatë dimrit.

Vetëm në Prishtinë, 75 përqind e banorëve opsione të vetme i kanë drutë, peletin apo rrymën, çmimet e të cilave kanë prekur qiellin.

25 përqindëshi tjetër, janë të lidhur me Termokos, por edhe këta mund të përballen me shtrenjtim të tarifave. Express ju sjell detaje për çmimet me të cilat po shitet peleti e metri i druve, si dhe përgatitjet që po bën Termokosi për nisjen e sezonit.

Tash e një kohë, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët se i pret një dimër i vështirë sivjet. Vazhdimisht është bërë thirrje që të mos shfrytëzohet energjia elektrike për ngrohje, por s’u janë ofruar alternativa tjera.

Për ata që s’janë të lidhur me Termokos, e që janë shumicë, mundësitë e vetme për ngrohje mbesin rryma, drutë e peleti.

Nga “Termokos” i kanë thënë Gazetës Express se vetëm 25 përqind e banorëve të Prishtinës furnizohen me ngrohje nga kjo ndërmarrje publike.

Zëdhënësja e Termokos, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka treguar se në cilat lagje të kryeqytetit shtrihet rrjeti i ngrohtores.

“NP “Termokos” operon nëpër lagjet e urbanizuara të kryeqytetit. Rrjeti i ngrohjes është i shtrirë në lagjet “Qendër”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Bregu i diellit”, një pjesë e lagjes “Kalabria”, ndërsa gjatë këtij sezoni ngrohës për herë të parë do të fillojë furnizimi me ngrohje edhe për 141 objekte banesore të lagjes “Mati 1”. LLogaritet se rreth 25 për qind të banorëve të kryeqytetit furnizohen me ngrohje nga NP “Termokos””, ka deklaruar Uka.

Ajo ka deklaruar edhe për planet për zgjerim të rrjetit, ku pritet të përfshihen edhe një pjesë e objekteve banesore të lagjes “Arbëria” dhe një pjesë e lagjes “Tophane”.

Ditë më pare, u paralajmërua se edhe tarifat për ngrohje do të shtrenjtohen. Uka thotë se janë në pritje të raportit nga ZRRE, por që deri tash thotë se s’ka indikacione për shtrenjtim.

“NP “Termokos” ka aplikuar në ZRRE për tarifat për energji ngrohëse. Jemi në pritje të raportit nga ZRRE të strukturës tarifore për sezonin ngrohës 2022/2023. Deri më tani nuk kemi indikacione se do të ketë ndryshim të tarifave për ngrohje”.

Ajo thotë se pothuajse janë finalizuar të gjitha përgatitjet për fillim të sezonit ngrohës.

Ngrohja pritet të lëshohet nga 15 tetori, por Uka ka folur edhe për mundësinë që sezoni ngrohës të fillojë para kësaj date, por jo më herët se nga 1 tetori.

“Fillimi i sezonit ngrohës është i përcaktuar qartë me aktet ligjore në fuqi, të cilat 15 tetorin e kanë definuar si datën e fillimit sezonit të zakonshëm për ngrohje.

Mirëpo, në varësi të kushteve klimatike, sezoni i ngrohjes mund të fillojë para 15 tetorit, vetëm në rast se temperaturat e ajrit tri ditë radhazi në orën 21.00 do të jenë më të ulëta se 12 gradë C, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm i ngrohjes, por jo më herët se nga 1 tetori”, thuhet në përgjigjet e Termokos.

E atyre që s’janë të kyqur në rrjetin e ngrohtores së qytetit, zgjidhja e vetme u mbeten drutë, peleti apo rryma. Por, edhe këto janë shtrenjtuar shumë.

Për pelet ka edhe krizë.Qeveria e Kosovës dje ka vendosur edhe që ta ndalojë përkohësisht ekspertin e peletit.

Një prej kompanive që merret me shitjen e këtij produkti të drurit në Kosovë i ka thënë Gazetës Express se nuk janë duke shitur pelet.

Prej kësaj kompanie kanë thënë se aktualisht janë duke i furnizuar vetëm klientët që kanë paguar më herët, derisa thonë se shitjes mund t’i kthehen tek në nëntor.

Këtyre klientëve kanë thënë se u kanë shitur pelet me çmime nga 300-380 euro për ton, varësisht kur e kanë porositur.

“Nuk jemi duke marrë porosi. Jemi tu i furnizu vetën klientat që kanë ba parapagim. Për momentin nuk kemi as çmim, edhe nuk kemi pelet në shitje, pa u furnizu këta që kanë bë ma herët pagesa. Varet, nuk janë krejt me një çmim. 300-380 (ua kemi shit), varet kur është marrë, meqë çmimi është momental. Njëherë për njëherë, deri në nëntor nuk besoj që ia fillojmë”, kanë deklaruar nga një kompani.

Por, edhe ato kompani që e shesin, po e shesin shumë shtrenjtë.

Çmimi që qarkullon nëpër ofertat e kompanive në rrjete sociale shkon deri në 445.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Doganën e Kosovës, për të marrë statistika për eksportin e këtij produkti, por ky institucion tash e një kohë s’po kthen përgjigje.

Shtrenjtë po shitet edhe metri i druve.

Komento: