
Vjosa Osmani është shkarkuar nga dy pozitat që mbante në LDK.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdylo, ka konfirmuarse Vjosa Osmani është shkarkuar nga pozitat e saj në këtë parti. Megjithatë, Avdyli votimin përmes emailit nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë, e cilësoi si sondazh dhe si i tillë ftoi të mos respektohet.
Avdyli e ka vlerësuar vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për shkarkimin e Osmanit, si vendim skandaloz. Gjithashtu, ai e cilësoi këtë votim si manipulim interneti.
Tutje, ai tha se secili aktivist i LDK’së, këtë votim duhet ta trajtojë si sondazh të pavlerë derisa ky votim të mos merret sipas rregullave demokratike.
“Vendimi i skandaloz për kinse shkarkimin permes Email të Vjosa Osmanit nga organet drejtuese të LDK-së, i inicuar nga njerzit pa legjitimitet qytetar, paraqet vetem një manipulim interneti e asgje më shumë. Votimi i përmes email është një vendim mashtrues dhe frigacak si gjithmonë i disa njerzëve që skanë guxim qytetar të maten e thirren si pronarë të LDK-së . Këta se kanë problem edhe ti manipulojnë rezultatet. Egziston mundesia që rezultatet i ketij sondazhi Online mund te jenë manipuluar prandaj ska vlerë as juridike as obligativ për askënd. Ne dhe secili aktivistë i LDK-së do e konsiderojnë këtë vetëm si nje sondazh pavlerë derisa ky vendim të mos mirret konform rregullave demokratike”, shkroi Avdyli.

Propozimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga këto pozita erdhi nga kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë me arsyetimin se Osmani doli kundër qëndrimeve të partisë, duke mos votuar qeverinë e kryeministrit aktual, Avdullah Hotit.
E postin e nënkryetarit të LDK’së, pas shkarkimit të Osmanit është propozuar që ta zë Hoti.
Kujtojmë se edhe më parë Osmani kishte dalë kundër qëndrimeve të LDK’së.
Osmani për një kohë kishte prishur raportet me Isa Mustafën kur nuk e kishte votuar për Kryeministër në dhjetor të vitit 2014.
Mirëpo, Osmani ishte pajtuar me Mustafën dhe kishte përkrahur Avdullah Hotin për Kryeministër në zgjedhjet e 2017’ës, kur LDK dështoi, po ashtu, të dalë e para.
Osmani përfundimisht ishte pajtuar me Kryetarin e LDK’së në zgjedhjet e fundit partiake kur Mustafa e pranoi për Nënkryetare dhe kërkoi votat e partisë për ta bërë edhe Shefe të Qeverisë.