DETAJE/ Gërmime në Kalludër të Vogël, dyshohet për gjetjen e mbetjeve të 23 intelektualëve

18:40 | 28 Korrik 2026
detaje/-germime-ne-kalluder-te-vogel,-dyshohet-per-gjetjen-e-mbetjeve-te-23-intelektualeve

Ekipi i Kanal10 ndodhet në fshatin Kalludër i Vogël në Zubin Potok, ku autoritetet kanë nisur veprime në terren pas informacioneve për gjetjen e mbetjeve mortore.

Zona është siguruar nga organet kompetente, ndërsa ekipet e forenzikës po kryejnë ekzaminimet e nevojshme për identifikimin e mbetjeve dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Gazetarja e emisionit “Gazeta” në Kanal10, Afërdita Lukaj, ka raportuar drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes, duke bërë të ditur se në këtë zonë po zhvillohen gërmime pas dyshimeve se mbetjet mund t’u përkasin një grupi prej 23 intelektualësh të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Jemi direkt nga fshati Kalludër i Vogël në Zubin Potok. Këtu po zhvillohen disa gërmime, pasi janë marrë informacione se janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin një grupi intelektualësh prej 23 personash të zhdukur nga lufta e fundit në vend, më 19 prill 1999. Këtu ka një ekip të Policisë së Kosovës, si dhe ekip nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe EULEX-i”, ka deklaruar Lukaj.

Ajo ka rikujtuar gjithashtu se një natë më parë janë arrestuar dy persona lidhur me rastin.

Kanal10 do të vazhdojë të raportojë nga vendi i ngjarjes dhe do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e fundit, pas njoftimeve zyrtare nga institucionet përgjegjëse.

Komento: