E veshur me dimi e dallama, kështu dukej Shkurte Fejza kur ishte nuse – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

E veshur me dimi e dallama, kështu dukej Shkurte Fejza kur ishte nuse

14:30 | 29 Dhjetor 2018

Shkurte Fejza është ndër këngëtaret më të dashura për publikun e muzikës popullore.

“Dasma jonë ka qenë tipike tradicionale. Normalisht, kanë ardhur gratë me shumë vetura, ndërsa burrat duke ecur, sepse i kemi pasur shtëpitë afër me Hajrushin, në një fshat”, thotë Shkurte Fejza, gjatë një interviste të mëhershme dhënë “Kosovares”, duke u pajtuar se ajo ka qenë dita më e mrekullueshme e jetës së saj.

“E di se gjatë rrugës, edhe pse ishte rrugë e shkurtër, vetura në të cilën ndodhesha unë është ndalur disa herë, shkaku i njerëzve të shumtë. Femrat e ndalnin veturën ku isha unë për të shikuar se si është bërë Shkurtja nuse”, shton ajo.

A ishte Shkurtja e kënaqur me dukjen e saj?

“Po, sepse Hajrushit i dukesha bukur”, shprehet ajo, duke shtuar se “ishte një ndryshim i madh, sepse deri atëherë i mbaja flokët të drejta, të ndara në mes, ndërsa atë ditë kisha bërë frizurë dhe kisha ndryshuar dukshëm”.

Shkurtja e kujton edhe komplimentin e veçantë të asaj dite, që, pa dyshim, e kishte marrë nga i zgjedhuri i saj.

“Më duket se i kisha pëlqyer shumë, sepse më tha – je bërë krejt tjetër dhe dukesh më e bukur se lulet që i ke në dorë!”.

Dhe, teksa rrëfen për ditën më të bukur të jetës, kur ishte vetëm 22 vjeçe, këngëtarja kujton me nostalgji edhe momentin e dhimbshëm të largimit nga shtëpia.

“Nuk ishte e lehtë. Më duket se nëna ishte mërzitur më së shumti. Andaj, ndarja nga familja e prindërve nuk është e lehtë. Më kujtohet se edhe unë isha mërzitur për këtë fakt. Të them një gjë: edhe sot, kur këndoj në dasma, e sidomos në kanagjegje, kam një ndjenjë dhimbjeje për vajzat që martohen dhe nënat e tyre kur ndahen”.

Ju kujtojmë se nga ajo ditë e dasmës, Shkurtes nuk i ka mbetur asnjë foto, si dhe shumë të tjera , meqë i janë djegur në luftë. Këtë foto që po e botojmë e gjetëm në arkivin e “Kosovares”, të cilën na e kishte dhënë Shkurtja kur e patëm bërë bisedën për revistën tonë.

Komento: