“Është shkelje e Kushtetutës vendimi që mjekët e profesorët ta deklarojnë pasurinë”

16:37 | 10 Dhjetor 2021

Syla thotë se është shkelje e Kushtetutës vendimi që mjekët e profesorët ta deklarojnë pasurinë

Shantazh dhe shkelje të Kushtetues po e konsideron kryetari i Sindikatës së Mjekëve, Blerim Syla, vendimin e Qeverisë së Kosovës që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Syla për Ekonomia Online ka thënë se të njëjtën nuk e kërkojnë për këngëtarët dhe për ata që punojnë në sektorin privat.

“Nuk e shoh si hakmarrje por shkelje të Kushtetutës, sepse nëse duhet të deklarojnë pasurinë mjekët dhe profesorët, ku janë estrada këngëtarët e njerëzit që punojnë vetëm privat që nuk deklarojnë asgjë, andaj kjo është një lloj shantazhi”, tha Syla.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua kërkesa e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Kërkesa e Sallahut u miratua me shumicë votash nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat të pranishëm në mbledhje.

“Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do të deklarojnë pasurinë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë janë shtuar mjekët dhe profesorët në institucionet publike”, ka thënë Sallahu.

Projektligji me ndryshime për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave tani e pret miratimin edhe në Kuvend.

Komento: