Fatos Beqiraj i emocionuar nga mikpritja e “Dardanëve”

23:14 | 14 Tetor 2019

Beqiraj i emocionuar nga mikpritja e “Dardanëve”, thotë se Kosova e meritoi fitoren.

Sulmuesi kosovar i Malit të Zi, Fatos Beqiraj, ka shprehur emocionin e tij për mikpritjen që i kanë bërë rreth 12 mijë e 500 shikues në “Fadil Vokrri”, ku është kthyer për ndeshje pas 12 vjetësh.

“Jam kthyer pas 12 vitesh në stadiumin e Prishtinës. Hera e fundit ka qenë me Besën e Pejës”, ka thënë Beqiraj, që e ka cilësuar ndeshje emocionuese atë mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Falënderoj tifozët për mikpritjen. Ishin emocione të veçanta për mua, nuk do t’i harrojë asnjëherë. Në momentin që kam zgjedhur të luajë për Malin e Zi rrethanat kanë qenë tjera, dhe unë kam gjetur përkrahje të madhe atje. Por kjo ishte një ndeshje e veçantë për mua”, ka thënë Beqiraj.

Ai ka thënë se Kosova e ka merituar fitoren në ndeshjen e sotme ndaj Malit të Zi, pjesë e së cilës është edhe ai tash 11 vjet.

“Kosova ka luajtur një ndeshje shumë të mirë, dhe me meritë e fitoi”, ka thënë ai.

Sulmuesi ka thënë se përcjell ndeshjet e Kosovës sa herë ka mundësi, derisa ka vlerësuar ekipin e Kosovës në secilin repart.

“Kosova e ka një ekip shumë të mirë dhe shumë të re. Mendoj se do ta gjejë kualifikimin për evropian”, thotë ai.

Komento: