Fjalimi i 2 vajzave të Kadaresë gjatë varrimit: Homazhi më i mirë leximi i veprave

15:36 | 03 Korrik 2024
fjalimi-i-2-vajzave-te-kadarese-gjate-varrimit:-homazhi-me-i-mire-leximi-i-veprave

Këtë të mërkurë të 3 korrikut, është përcjellë për në banesën e fundit, shkrimtari Ismail Kadare. Pas homazheve të mbajtura në nder të shkrimtarit të madh në TKOB, trupi i pajetë i tij u dërgua në varrezat e Tufinës, ku u zhvillua privatisht ceremonia e varrimit.

Në këtë ceremoni folën dy vajzat e shkrimtarit, Besiana dhe Gersa Kadare, të cilat i dhanë lamtumirën e fundit babait të ndjerë.

Besiana Kadare vajza e shkrimtarit tha se tashmë e përfytyron babanë e saj teksa ngjitet “si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon”. Ajo tha se mënyra më e mirë për të kujtuar shkrimtarin Kadare është nëpërmjet leximit dhe rileximit të veprave të tij.  

Të dashur miq faleminderit që keni ardhur sot. Jemi të gjithë shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit, shumë ceremoni prekëse. Nuk do bëj ndonjë fjalim, e përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara ‘do na lësh rehat tani, nuk dua’. E përfytyroj është ngjitur, është si në një vorbull drite, e përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot”,-tha Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit.

Në ceremoni foli edhe Gersa Kadare, e cila tha se “Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe”. Ajo tha se babai i saj i bindej vetëm ligjeve të letërsisë e kurrë nuk ishte mërzitur me të për punët e shtëpisë e neglizhenca të tjera, por nuk i kursente sarkazmat për shijet e saj të leximit.

Të dashur miq faleminderit për prezencën tuaj. Desha të them diçka të vogël. Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe nga të gjithë etërit e shokëve e shoqeve të mia. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera dhe i bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia për punët e shtëpisë, e plotë e plotë të tjera, por nuk m’a kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht përshembull nga përkthimi i Nolit, i Don Kishotit, që ishte i goditur. Këtë filozofi dora dorës ndoshta e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria”,-tha Gersa Kadare, vajza e shkrimtarit.

Shkrimtari Ismail Kadare humbi jetën në mëngjesin e 1 korrikut 2024. Ai ishte 88 vjeç.

Komento: