Flet mjeku i njohur: Rastet me koronavirus parashikohet të bien javën e dytë të prillit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Flet mjeku i njohur: Rastet me koronavirus parashikohet të bien javën e dytë të prillit

08:34 | 26 Mars 2020

Koronavirusi ka prekur gjithë botën.

Pëllumb Pipero ka dhënë një panoramë të situatës aktuale nga koronavirusi në vend.

Mjeku i njohur infeksionist ka treguar në një lidhje live në emisionin “Byroja Politike” në “ABC News” se ecuria e koronavirusit në vend është normale dhe se 73 pacientë janë të shtruar në spital.

Pipero është shprehur se ka dhe nga ata pacientë që po luftojnë për jetën dhe se pjesa më e madhe e tyre i përkasin moshës së tretë dhe të gjithë kanë nga një sëmundje kronike.

“Ne kemi repartin që ka qenë me 4 shtretër dhe janë të zënë. Kemi pjesën e katit të dytë që janë 40 shtretër ku rreth 30 janë me respiratorë edhe aty kemi 3-4 pacientë me regjim respiratori, madje një nga ata është i intubuar. Disa prej tyre luftojnë me jetën. Janë mosha të treta kryesisht, por pothuajse të gjithë me sëmundje kronike, që kanë dëshmuar se bëjnë komplikacione më të shpejta. Mbi 60 vjeç ka shumë probleme. Hipertensioni është një nga më kryesoret. Diabeti gjithashtu, sëmundjet kronike të veshkave, kemi një larmi mundjesh që lidhen edhe me moshën, por ndonjëherë jo vetëm me moshë”, ka thënë mjeku infeksionist.

Pipero ka shtuar se në Shqipëri ka mosha të reja të prekura, sepse struktura e moshës së vendit tonë nuk i ngjan Italisë. “Ne kemi popullsi më të re dhe kësisoj mund të kemi raste në dukje më të rinj. Kemi pyetur kolegët tanë, dhe kanë dëshmuar se edhe moshat e reja mund të kenë komplikacione të rënda. Përgjigja është për një përgjigje e shtuar imunitare, ndoshta edhe për shkak të ekspozimit më të gjatë dhe marrjes së një numri më të madh virusesh. Por përgjithësisht edhe moshat e reja kanë dëshmuar që kanë pasur diabet të fshehtë për shkak të obezitetit, ngado që ta rrotullojmë pavarësisht moshës dominojnë sëmundjet shoqëruese”, është shprehur Pipero.

Ai ka dhënë dhe një lajm pozitiv duke thënë se nga java e dytë e prillit mendohet se rastet e reja të koronavirusit do të bien. “Unë mendoj se fundi i javës së dytë të prillit do fillojnë të bien raste. Por e lidh këtë me se sa i kanë zbatuar qytetarët masat e marra nga qeveria. Të vazhdojnë dhe të respektojnë këshillat, jo vetëm që të shmangin kontaktet dhe të mos sëmuren vetë, por edhe të mos bëhen burim infeksioni për të tjerët”, ka thënë mjeku infeksionist Pipero.

Komento: