De Volkskrant: Ushtrimet për aterimin e helikopterit në ushtrinë që s’ka helikopterë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

De Volkskrant: Ushtrimet për aterimin e helikopterit në ushtrinë që s’ka helikopterë

16:16 | 25 Janar 2019


Gazeta holandeze “De Volkskrant” pas vizitës që ia bërë ushtrisë kosovare ka shkruar për këtë ushtri dhe raportin e vendit me shtetin fqinj.

Kosova krijoi ushtrinë e vet në fund të vitit 2018. Vendi fqinj Serbia e sheh këtë si një akt të papranueshëm agresioni. A janë lëshuar shpirtrat e vjetër në Ballkan? De Volkskrant është gazeta e parë në botë që viziton ushtrinë kosovare.

Me një krenari paksa të fshehur, Major Vegim Krelani tregon për gjashtëmbëdhjetë kadetë shumë të rinj të vitit të parë teksa ata rrethojnë me shirit të kuq dhe të bardhë një fushë të mbuluar me borë në jug të Kosovës. “Ky grup po mëson se si të mundësojnë aterrimin e një helikopteri në mënyrë të sigurt në një situatë krize”, thotë majori. Dhe pas një heshtje të shkurtër thotë: “Për fat të keq nuk kemi një helikopter të vërtetë, por kjo padyshim do të vijë së shpejti”.

‘Në vitin 2018, piloti ynë i parë për helikopter diplomoi në Turqi’, sqaron eprori i tij, koloneli Jeton Dreshaj. “Nëse gjithçka shkon mirë, do të mund të përdorim helikopterin tonë të ri këtë vit. Nga shkurti do të rekrutojmë më shumë rekrutë dhe ndërkohë do të zhvillojmë një numër të kurseve të reja të trajnimit të batalionit që përqendrohen në funksionet tona të reja’.

Leximi i këtij shkrimi është mjaft unik, sepse ushtria e Kosovës asnjëherë nuk priti një gazetar të huaj. Kjo jo për shkak se metodat e trajnimit këtu janë aq sekrete, ose nga që gazeta Volkskrant konsiderohet aq e rëndësishme në Kosovë, por thjeshtë për shkak se kjo ushtri është e re. Vetëm në ditët e fundit të vitit 2018 parlamenti dha miratimin për formimin e saj. Balonat kaltër dhe verdhë qëndrojnë akoma të varura në Ministrinë e Mbrojtjes nga dita e festës për vendimin e marrë.

‘Kosova nuk ekziston’
Pakënaqësia serbe nuk është befasi. Pas luftës midis Kosovës dhe Serbisë dhe pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, dy vendet fqinje janë në mosmarrëveshje serioze. Serbët e konsiderojnë Kosovën si djepin e besimit të tyre ortodoks dhe për këtë arsye nuk duan të heqin dorë nga ky territor, ndërkohë që vetë kosovarët kanë shumë më shumë afinitet me Shqipërinë. Përafërsisht 1.8 milion njerëz jetojnë në Kosovë. Vetëm 5 përqind e tyre janë serbë, mbi 90 përqind e popullsisë është shqiptare.

Rezultati: Një garë e pandërprerë njëmbëdhjetë vjeçare, në praktikisht të gjitha nivelet diplomatike. Nga çështjet e mëdha deri te ato më të voglat. Serbia, për shembull, nëpërmjet aleatëve të saj si Rusisë, i bën të pamundur Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, në anën tjetër kosovarët e kanë të vështirë të udhëtojnë drejt shteteve tjera për shkak se automjetet e tyre nuk mbulohen nga traktate ndërkombëtare të sigurimit.

Dhe kjo nuk është e tëra. Kushdo që në iPhone-in e tij dëshiron të shohë se çfarë moti është në Prishtinë, e ka të pamundur, sepse sipas Apple nuk ekziston vend me emrin Kosovë. Vendi po ashtu deri në verën e kaluar nuk kishte kodin e vet telefonik (+383) ndërsa me vite të tëra ishte e pamundur për kosovarët që gjatë regjistrimit në Facebook të zgjedhin Kosovën si shtetin e tyre.

Pranverën e kaluar një ndeshje hendbolli midis femrave kosovare dhe atyre serbe u desh të anulohej për shkak të përplasjeve rreth flamujve, ndërsa disa muaj më parë treni – i dhuruar Serbisë nga Rusia – u nis nga Beogradi në Kosovë me vagonët në të cilët shkruhej “Kosova është Serbi”. Si pasojë, Prishtina dërgoi policinë në kufi, gjë të cilën serbët e interpretuan si pothuajse shpallje të luftës.

2.500 ushtarë

Për të mbajtur gjendjen nën kontroll, Bashkimi Evropian që nga viti 2011 ka udhëhequr bisedimet për, sipas zhargonit të Brukselit, ‘normalizimin’ e marrëdhënieve. Si Kosova ashtu edhe Serbia janë duke luftuar për këtë, sepse ‘normalizimi’ është një kërkesë e vështirë për anëtarësimin në BE.

Ky proces do të thoshte se të dy presidentët – të cilët luftonin në anët e ndryshme gjatë luftës së viteve 1998-1999 – në të vërtetë ju referuan ‘korrigjimit të kufijve’. Katër komuna në Kosovën e Veriut, ku jetojnë pothuajse ekskluzivisht serbët, do të shkëmbeheshin për një zonë në jug të Serbisë, ku jetojnë kryesisht shqiptarë etnikë. Do të ishte një marrëveshje historike, sepse krijimi i një kufiri midis dy shteteve nënkupton se ekzistojnë dy shtete – diçka që Serbia nuk pranon ta pranojë për momentin.

Vetëm se në Ballkan çdo hap para shoqërohet nga tre hapa prapa. Në një takim në Bruksel për këtë temë në shtatorin e kaluar, të dy presidentët papritmas refuzuan të uleshin sërish në të njëjtën tryezë dhe në javët vijuese disa vende të vogla si Grenada, Ishujt Solomon dhe Madagaskari tërhoqën njohjen zyrtare të Kosovës – sipas Kosovës ishte e qartë se kjo ndodhi si rezultat i lobit serbo-rus.

Kosova reagoi ashpër. Parlamenti ngriti tarifën e importit për të gjitha produktet nga Serbia në 100 për qind – fillimi i një lufte tregtare – dhe mbi të gjitha, vendosi të formojë ushtrinë e vet. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nga janari i vitit 2019 e tutje do të njihet zyrtarisht si forcat e armatosura.

“Numri i trupave do të rritet nga 2,500 në 5,000 gjatë dhjetë viteve të ardhshme dhe në 3,000 rezervistë”, thotë kolonel Dreshaj. “Ne gjithashtu marrim pajisje gjithnjë e më moderne – një Humvee, një Cobra, buxheti ynë vjetor rritet hap pas hapi nga 63 milion deri në 100 milionë euro dhe mandati ynë është zgjeruar. Që tani e tutje ne jemi gjithashtu përgjegjës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës “, koloneli përmbledh detyrat e tij të reja, sikur recitonte rregullat standarde nga Doracaku i Ushtarit. Ju lutem vini re: kjo është thjesht për mbrojtje. Asnjë nga aleatët tanë nuk duhet të ketë frikë: nuk do të bëjmë asgjë që kërcënon fqinjët tanë “.


Pakënaqësi në NATO

Megjithatë, një nga fqinjët – përkatësisht Serbia, reagoi me zemërim ndaj lajmit, duke e quajtur ushtrinë e re të Kosovës si “forcë ilegale e okupimit të armatosur” që rrezikon sigurinë e popullit serb. Ministri i Jashtëm rus ishte dakord me Serbinë dhe tha se ushtria duhet të shpërbëhej sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne jemi një shtet sovran që për vendimet e brendshme nuk konsultohemi me vendet fqinje, posaçërisht jo me Serbinë”, thotë Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Burim Ramadani. “Që nga pavarësia kemi punuar për të transformuar forcën tonë të sigurisë në një ushtri. Kjo është pjesë normale e procesit të rritjes së një vendi. Çdo shtet sovran në botë ka një ushtri. Pse Kosova mos ta ketë? Se kjo do të ishte një shenjë e agresionit, është propagandë e pastër dhe dezinformim që vjen nga Serbia dhe Putini. Çfarë mund të bëjë një ushtri prej 2,500 trupash kundër një ushtrie prej 50 mijë? Sa na përket ne, gjëja e vetme negative lidhur me këtë vendim, është që është marrë pesë vite me vonesë’.

Dhe çfarë sa i përket komenteve të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg? Kjo organizatë ka vendosur trupa e vet në Kosovë që nga viti 1999 dhe ka mbështetur shërbimet e sigurisë për vite me radhë. Pothuajse të gjithë zyrtarët e FSK-së janë trajnuar në vitet e fundit me ndihmën e vendeve të NATO-s, duke përfshirë Holandën, e cila ka ofruar trajnimin për zhytjeje. “Më vjen keq që ky vendim është marrë, pavarësisht rezervave që ne kemi shprehur”, tha Stoltenberg. “Me ndryshimin e mandatit, NATO duhet të rishikojë shkallën e përfshirjes.”
“Ne kemi vizituar rreth gjysmën e të gjitha vendeve të NATO-s në muajt e fundit dhe kemi shpjeguar se me ushtrinë që po formojë duam të bëjmë diçka të mirë për të gjitha ato shtete që 20 vite më parë ndalën gjenocidin”, thotë Ramadani. ‘Falë këtij vendimi, ushtarët tanë së shpejti do të jenë në gjendje të qëndrojnë krah për krah me ushtarët e tjerë të NATO-s. Në fakt, shpresojmë që ushtarët tanë do të qëndrojnë krah për krah me ushtarët serbë shumë shpejt. Ne duam të jemi partner, jo kërcënim. ‘

Kadetët në lëvizje

‘Edhe një herë’, dëgjohet zëri i Majorit Vegim Krelani mbi tokën me dëborë. Kadetët marrin frymë thellë dhe kthehen tek pozicionet fillestare.’Po i kalisim këta djem e vajza mirë’ thotë majori , ‘sepse duam të stërvitim vetëm më të mirët. Këta janë oficerët që do të udhëheqin ushtrinë kosovare pas disa vitesh “.

Trajnimi për aterrimin e sigurt të helikopterit përfundoi dhe Major Krelani po i dërgon kadetët e tij me një seri urdhrash të shkurtra në juglindje, me ç’rast ata duhet të hyjnë në një shtëpi të mbuluar me dëborë në territor armiqësor- një stërvitje e destinuar për misionet e paqes në të cilat kjo ushtri shpreson të marrë pjesë në të ardhmen.

Përderisa kadetët pretendojnë se qëllojnë apo kapin njëri-tjetrin – urdhrat ‘kontrollo viktimën’, “liro të burgosurit ‘- kalojnë nën vështrimin e tij të rreptë. “Fakti që më në fund kemi zyrtarisht ushtrinë tonë është lajmi më i mirë për ne që nga pavarësia”, thotë ai. “Ne kemi pasur gjithmonë ushtri në Kosovë, ushtarët kanë qenë këtej që nga koha romake, por ata ishin gjithmonë ushtarë të huaj. Kjo është hera e parë që ushtarët mbajnë flamurin kosovar në uniformën e tyre. Për herë të parë, pas gjithë atyre shekujve, ne mund ta mbrojmë vendin tonë. Nuk keni ide sa mirë të bënë të ndjehesh kjo. ”

NJOHJA E KOSOVËS

Tensionet etnike midis shumicës shqiptare në Kosovë dhe administratës serbe çuan në një luftë më 1998. Kjo luftë përfundoi në qershor të vitit 1999 pas gati tre muajve të bombardimeve të NATO-s – kulmi i një dekade të luftërave civile, masakrave dhe spastrimit etnik që pasoi rënien e Jugosllavisë. Pas nëntë vjetësh nën administrimin e OKB-së, Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë në vitin 2008. Kjo pavarësi njihet aktualisht nga 104 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë Holandën. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sikurse as Rusia, Kina dhe pesë vende të BE-së. Spanja nuk e njeh Kosovën sepse nuk dëshiron të vendosë një precedent për rajon

Komento: