Gjakmarrja ia mori jetën tre anëtarë të familjes nga Gjakova, sot jetojnë ende në ankth – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Gjakmarrja ia mori jetën tre anëtarë të familjes nga Gjakova, sot jetojnë ende në ankth

15:56 | 31 Dhjetor 2018

Fenomeni i gjakmarrjes vazhdon të jetë i pranishëm në vendin tonë

Ajo se çka ndodhi mes dy familjeve në Gjakovë ka lënë pasoja tek ata që kanë mbetur gjallë.

Në familjen Hilaj kanë mbetur të vetme dy gra, pas konfliktit në të cilin u vra edhe një fëmijë 14 vjeç. Express ka qëndruar në fshatin Marmull të Gjakovës, nga ku gratë e familjes kanë rrëfyer se si është të jetohet në gjakmarrje

Në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës është harruar se si festohet në fundvit. Jetë të lehtë nuk po kalojnë dy gratë e vetme që kanë mbetur nga familja Hilaj, pas tragjedive të vrasjeve që ua morën dy burra e një fëmijë 14-vjeçar.

Pjesa tjetër e familjes kanë migruar nga frika se mund të jenë edhe ata cak i plumbit.

E vetmja mbrojtje që dy gratë e shtëpisë Maria (79) dhe Angjelina (56 vjeçe) e kanë janë disa qen që i kanë vendosur rreth e rrotull shtëpisë së madhe. Daljet jashtë shtëpisë për to janë krejt të rralla.

Maria dhe Angjelina Hilaj
Konflikti me familjen Allakaj, shtëpia e të cilëve është shumë afër shtëpisë së tyre, ka bërë që qetësi të mos gjendet tash e sa vite. Në këtë vend, e në këto dy familje po funksionon ende Kanuni i Lekë Dukagjinit, e plumbi nuk kurseu fëmijët.

Derisa fëmijët nuk u përjashtuan nga problemet që kishin të rriturit, fatin e njëjtë frikësohen ta kenë edhe Maria e Angjelina, ato qëndrojnë tërë kohën mbyllur e pakkush ua hap derën e shtëpisë.

Edhe shtëpia e dikur kumbarëve të tyre që tani e thërrasin armik, ka mbetur e zbrazët. Familja Hilaj dhe ajo lagje e përgjakur, ku kishin ndodhur disa vrasje, është mbetje e fundit e këtij shekulli e gjakmarrjes që nuk njeh rregulla të drejtësisë.

Gazeta Express ka vizituar familjen Hilaj, nga ku dy gratë e shtëpisë kanë rrëfyer se si është të jetohet e ngujuar, në gjak e në frikën se çdo ditë mund të jetë e fundit.

Maria Hilaj – nena e te vrareve
79-vjeçarja, Maria Hilaj, nuk mund t’i ndalë lotët kur flet për historinë e familjes së saj. Ajo që kishte mbetur e re e ve, kishte rritur gjashtë fëmijë me skamje e pa pasur probleme me askënd.

Por, atëherë kur kishte ardhur koha që të shijonte jetën me nipa e mbesa, kobi kishte arritur në shtëpinë e saj. Një natë të vitit 2008 kishte marrë lajmin se i ishte vrarë djali i saj, Nikolla.

Që nga atëherë, ajo thotë se nuk ka bërë asnjë natë gjumë të qetë, e problemet tash e 10 vite asnjëherë nuk i janë ndalur.

“Tash 11 vite më është vra djali i parë, Nikolla, atë natë u kanë tu kthy prej dyqanit që e kemi pas. Ishim duke u përgatitur për festë atë natë, djali pa dalë për me shku në punë më tha: Nanë mos më përgatit mu bukë, edhe doli qashtu qysh tha nuk mujti me ardhë në shpi ma me hangër bukë”, rrëfen 79-vjeçarja.

Pastaj vazhdon duke treguar se si ia kumtuan lajmin për vrasjen e Nikollës.

“Pasi kemi hangër darkë e kemi bo muhabet me djemtë, unë shkova me fjet. Veç kur e kam dëgju një zhurmë poshtë, dola me pizhame. Hajrli koftë çka u bo çika jeme, i thashë çikës, ora në 11 të natës”, thotë Maria, duke treguar se pak minuta më vonë erdhi edhe telefonata që dha lajmin.

“Preni më tha: Oj nanë Nikolla është lodhë. I thashë ani nana hajli koftë, ju ka nana juve. Nikolla ka vdek, më tha pas pesë minutave”, shprehet ajo duke thënë se pas lajmit tha “i vraftë buka që ja kam dhanë”, për ata që i vranë djalin e që dikur ishin miq të familjes.

Kështu rrëfen ajo për rastin e parë, duke shtuar se pasi që Nikollën e kishin vrarë, familjen e tij e kishin dërguar jashtë shtetit për të kërkuar azil në Zvicër nga frika që edhe ata mund të kishin fatin e njëjtë, e jeta larg nipave asaj po i sillte mërzi të madhe.

Pas disa viteve, familja kishte një gëzim. Po martonin vajzën e vetme të Prenit, e kështu kishin thirrur shumë miq për të festuar. Nga kurbeti kishin ardhur edhe familja e Nikollës, gruaja me dy djem e dy vajza. E djali tjetër i Marisë, Hili që me familjen e tij po jetonte në Austri. Dita e gëzimit u kthye përsëri në mort.

“E patëm përcjellësin në gusht, Preni ish tu e martu çikën. Nata e dasmës ka qenë, ora 8 e mëngjesit, data 1 gusht 2014. Preni shkoi për Prizren për ujë të tharpt, dasmën e çikës e patëm natën atë ditë i patëm thirrë 500 vetë, n’restorant i thirrëm 800, i tha Hilit shko me blu mish. Shkoj Hili bashkë me Palin e nuk u kthynë më, i vranë Allakajt në derë të shtëpisë së tyre”, thotë ajo.

Dy familjet e djemve të Marisë, që nuk jetojnë më këtu prej tragjedisë së fundit, nga frika nuk kanë ardhur në Kosovë. Të vetmin kontakt që e kanë me Kosovën është përmes telefonit.

Pal Hilaj – 14 vjeçari i vrarë

Maria e Angjelina po thonë se asnjëherë pjesëtarë të familjes së tyre nuk kanë vrarë e as nuk kanë qëlluar askënd me armë zjarri. Në fund, ato kanë një porosi.

“Qysh jam tu mujt me duru, se baj punë ndreqi e eci krejt vetë qysh more zoti ma ka dhanë këtë takat, që veç me mbyt veten çka më ka gjet mu, më kanë shku tre vetë prej së shnoshi. Du drejtësi. Ka mbetë qekjo nanë qyqja më kanë farosë. Kur i kemi qit fmitë jashtë me i hjek prej Kosovës kam mëndu që mend prej kresë kanë mem dal”, përfundon ajo.

Pak ka shpresë se një ditë do të arrihet një pajtim. Viti 2019 këto dy familje po i gjen në gjak, e kur pyeten për të shtrirë dorën e pajtimit, nga familja Hilaj i thanë Expressit se këto punë tashmë veç zoti i di.

Nënës Marisë, tashmë i ka mbetur i gjallë vetëm djali i madh Preni që tash është në burg, e ky është duke mbajtur burg. I vdiqën djali Nikolla 42 vjet, Hili 47 dhe Pali 14 vjet.

Historia e konfliktit

Zanafilla e asaj që më vonë do të çonte në vrasje të disa personave kishte nisur shumë vite më parë. Shtëpitë e Allakajve e Hilajve në Marmull të Gjakovës që ndodheshin shumë afër njëra-tjetrës çonin në takime tragjike në mes të pjesëtarëve të dy familjeve.

Vrasja e parë kishte ndodhur në vitin 2008, për të vazhduar pastaj me plagosje, e në fund edhe dy vrasje, përfshirë këtu edhe 14 vjeçarin e familjes Hilaj.

Në vitin 2008 ishte vrarë Nikolle Hilaj gjatë natës, teksa po kthehej nga dyqani që e kishte në Gjakovë, jo shumë metra larg shtëpisë së tij. Të dyshuar kryesor, më vonë edhe të arrestuar nga policia, qenë anëtarë të familjes Allakaj.

E në vitin 2014 do të plagosej vëllai i Nikollës, Preni pas një shkëmbimi me armë zjarri me fqinjin e tij Luz Allaku. Në të njëjtën ditë të vdekur mbetën 14-vjeçari Pal Hili (djali i Nikollës që kishte vdekur në vitin 2008) dhe vëllai i tij, Hil Hili.

Jo më larg se 500 metra larg shtëpisë së tyre ishin vrarë axhë e nip afër vendit ku 6 vite më parë qe vrarë edhe Nikollë Hila.

Pali që kishte ardhur nga Gjermania pak vite pasi që i kishte vdekur babai, po kthehej bashkë me axhën e tij, Hilin, nga pazari që kishin bërë si përgatitje për ahengun familjar që kishin të nesërmen.

Vrasjet qe ndodhen ne vitin 2014’te
Atë ditë do të martohej vajza e vetme që kishte Pren Hili, e familja kishte planifikuar një festë me shumë miq të familjes. Ata do të vriteshin mëngjesin e 1 gushtit, pak para orës 08:00 të mëngjesit.

Luz Allakaj kishte shtënë në makinën me të cilën po udhëtonin Pal e Hil Hili, e për këtë edhe do të dënohej më vonë me disa vite burg, pas një kohe qëndrimi në arrati. Express kishte raportuar për këtë rast.

E konflikti i fundit do të bëhej në vitin 2016’të kur fillimisht plagoset Pren Hilaj, vëllai i Nikollës.

Të dy këto familje dyshohen për vrasje të porositura e tashmë po jetojnë në gjak me njëra tjetrën, pasi që ende nuk janë pajtuar.

Komento: