
Një zyrtari policor i është marrë arma zyrtare pasi e kishte harruar në një pompë të derivateve në Shkabaj.
Rasti ka ndodhur të dielën, më 23 nëntor, rreth orës 16:30. Policia ka trajtuar rastin dhe, pas shikimit të kamerave të sigurisë së objektit, ka identifikuar personin që e kishte marrë armën.
I dyshuari është ftuar nga Policia, ku ka pranuar se e kishte marrë armën, me arsyetimin se kishte pasur qëllim ta raportonte më pas.
“Ankuesi mashkull kosovar zyrtar policor, ka raportuar se e kishte harruar armën e tij zyrtare në Hib Petrol dhe se dikush ia kishte marrë atë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Pas intervistimit, arma është sekuestruar, ndërsa me udhëzime të prokurorit rasti është iniciuar si “vjedhje e rëndë” dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt.