Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka porositur të rinjtë, që të guxojnë të krijojnë. Teksa tha se rehatia dhe siguria nuk qëndrojnë në gjetjen e një vendi të punës në institucionet publike.
Ai këto komente i bëri gjatë lansimit të Akademisë Politike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
“Brezi jonë ka guxu me qenë krijues i lirisë. Sot ka plot gojë që flasin e komentojnë për përpjekjet deri në liri, çka ka qenë mirë e çka ka qenë keq, e ku di unë. Po imagjinojeni çfarë guximi ka qenë me guxu me e kriju lirinë. Brezi i parë i politikanëve, ai brez që kemi qëllu pas lufte, kemi guxu me e bë ushtrimin e plurarizmit, me dal në zgjedhje, me ndërtu institucione, me ecë përpara. Pra, edhe ju të rinjtë, edhe akademia politike, mendoj që është me rëndësi që të guxoni me kriju, e të mos pritni me qenë të varur nga askush. Këshilla ime e vetme është se ne jemi të pavarur si popull, si shtet, duhet të jemi të pavarur në mendimet tona, në mënyrën e të krijuarit dhe kësisoj të mburremi me atë që është krijuar, që ka qenë deri më sot. Ju inkurajoj të shkojmë kësaj rruge. Do të jem përkrahës, por kurrë nuk do të punoj ashtu që të gjithë ta marrin të gatshme, secili e secila le të kthehen në krijues, sepse ashtu do të jenë më të suksesshëm”, tha Haradinaj.