Haradinaj: Të investohet më shumë në ushtri, nuk duhet të teprojë buxheti

18:39 | 14 Dhjetor 2023

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherësh lider i AAK-së, në një intervistë për ‘Info Plus’ të RTK-së ka folur për pesë vjetorin e formimit të ushtrisë.

Duke e kujtuar këtë përvjetor, ai tha se ishte krenari e madhe që Kuvendi i Kosovës me votë unanime të të gjithë spektrit politik ka votuar formimin e ushtrisë sonë.

“Që nga ajo kohë ka filluar plani 5 vjeçar i yni i aftësimit të ushtrisë sonë dhe janë arritur rezultate të prekshme”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se pas gjithë të arriturave në ushtri, po krijohet një brez i ri i strukturës komandues të ushtrisë sonë, të cilët kanë përfunduar aftësimin ushtarak nëpër akademitë më të mira të botës ushtarake.

“Bashkëpunimi i Ushtrisë sonë me atë të Shqipërisë dhe më NATO-n është në nivel. Porse duhet të investohet edhe më shumë në ushtri dhe se nuk guxon të teproj buxheti për ushtrinë. Është e dhimbshme të teproj buxheti për ushtrinë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq,  për alarmin që ka ngritur presidentja se kanë informacione që Serbia po përgatitë sulme të reja në Kosovë, Haradinaj tha se nuk duhet të vetëmburremi së tepërmi se jemi të fortë.

“Duhet të bëhet kujdes i madh i marrëdhënieve tona me aleatët tanë të sigurisë, në këtë rast me amerikanët me anglezët dhe gjithë të tjerët, që në rast të rrezikimit të vendit të mund të llogarisim në partner serioz”, tha Haradinaj, duke shtuar se KFOR-i në Kosovës është me mision paqësor dhe NATO-gjithashtu.

Ai tha se nuk është mirë edhe të trajtohen keq ata që e ruajnë vendin, siç është rasti me Njësitë Speciale të Kosovës.

“Nuk guxojmë t’i ofendojmë ata njerëz, sepse ne pa ta si mund ta ruajmë veriun”, tha Haradinaj.

Ndërkaq,  për akuzat e zëvendëskryeministrit Bislimi karshi opozitës e për draft-statutin e Asociacionit, Haradinaj thotë se ka disa herë që opozita e ka mbështet qeverinë.

“Nëse Qeveria e Kosovës është me Serbinë, atë herë po e paskemi mbështetë Serbinë”, tha Haradinaj.

Kurse për komentet e tyre për draft-statutin e Asociacionit, ai tha se nuk do t’i bëjnë publike tash, por se siç u shpreh ai, vërejtjet do të shkojnë në kushtetuese, atëherë kur drafti të përfundojë në këtë organ.

Sipas tij, në kushtetuese do të jenë si palë e dëmtuar meqë konsiderojnë se me këtë draft-statut të asociacionit është e dëmtuar Kosova.

Komento: