Hoti i ashpër me Osmanin: Si mund ta cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Shtëpia e Bardhë?

11:47 | 17 Dhjetor 2021

Hoti ka reaguar pas deklaratave të Osmanit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka reaguar ashpër presidentes Osmani e cila sot në adresimin para deputetëve tha se është cënuar rendi kushtetues i Kosovës kur është nënshkruar marrëveshja në Uashington për moratorium 1-vjeçar për mos-aplikim në organizata ndërkombëtare.

Hoti me anë të një postimi në Facebook e ka pyetur Osmanin se si mund të cënohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila sipas tij mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe udhëheqës në Kosovë.

Madje sipas Hotit, vetëm politikanë me orientime jo-perëndimore mund të lëshojnë deklarata të tilla.

“Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavaur dhe të integruar në BE dhe NATO e jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i Hotit:

Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!

Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla.

E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në.

Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavaur dhe të integruar në BE dhe NATO e jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajtë nga politikanët e papërgjegjshëm.

Komento: