Humbën jetën në Siri, por për ta nuk ka varre në Kosovë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Humbën jetën në Siri, por për ta nuk ka varre në Kosovë

18:26 | 15 Maj 2019

Disa kosovarë kanë humbur jetën në luftën e Sirisë.

Xhihadistët kosovarë që shkuan në luftën e Sirisë, nuk u kthyen më as të vdekur në vendlindje.

80 prej tyre nga 132 kosovarë sa raportohet të kenë shkuar në Siri, janë eliminuar në zonat e luftës.

Disa prej familjeve në Kosovë kanë hapur vetëm të pame për ta.

Varr për asnjërin nga ta në vendlindje nuk ka. Që shtatë vite trupi i asnjë kosovari i cili është eliminuar në Siri nuk është kthyer.

Rroni 23-vjeçar, Filloreta 27-vjeçare, Melosi veç 17-vjeçar e Nazmija nga Gollaku janë vetëm disa prej kosovarëve që janë eliminuar në vatrat e luftës në Siri.

Trupat e asnjërit nga këta kosovarë të vrarë nuk dihet se ku janë varrosur.

Familjet varr për ta nuk kanë hapur as në Kosovë.

Viktima e fundit e raportuar se vdiq në Siri është Rroni nga Prishtina.

Ai dyshohet se javën që e lamë pas ndërroi jetë në zonat e konfliktit si dhe ishte pjesë e pjesë e grupit ‘Al-Nusra’.

Në Siri në marsin e këtij viti ishte eliminuar edhe Filloreta Kastrati nga Kamenica. Ajo kishte lënë pas 2 fëmijë. E familja e saj i kishte hapur të pamën vajzës e cila që në vitin 2014 i ishte bashkuar Shtetit Islamik dhe që pas katër viteve qëndrim ishte eliminuar.

Fatin e njëjtë si të Filloretës e kishte pasur edhe Nazmija.

Por as edhe një varrë me ndonjë trup të këtyre të vrarëve në Siri nuk është hapur në Kosovë.

Asnjë trup i ndonjë personi që ka shkuar atje, asnjëherë nuk është kthyer në Kosovë.

Institucionet kosovare të sigurisë nuk kanë asnjë të dhënë për fatin e trupave të kosovarëve të eliminuar në zonat e konfliktit në Siri. Gazeta Express, ka kontaktuar me policinë, ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe atë të Drejtësisë.

Të tri këto institucione kanë pohuar se nuk kanë informata rreth kthimit të trupave të kosovarëve që kanë shkuar në Siri.

“Nuk kemi informata për trupat e tyre”, kanë thënë ministrat Abelard Tahiri e Ekrem Mustafa.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i personave të kthyer në Kosovë ose edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 132, përfshirë këtu 120 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë.

Numri i kosovarëve që u bënë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.

Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 80, prej të cilëve 77 persona të gjinisë mashkullore të eliminuar, ndërsa tre persona, përfshirë këtu një person i gjinisë mashkullore, një person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore.

Ndërkohë në zonën e konfliktit ende kanë mbetur rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!