
Bajrami: Qeveria, MPB-ja e AKI-ja të japin përgjegjësi për mungesë të rezultateve për vrasjen në Gllogjan.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta zbardhin krimin në Gllogjan, ku mbetën të vrarë tre persona, dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Bajrami tha se Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan.
“Nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën te miqtë tanë. Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane”, tha Bajrami.
Tutje, ajo tha se prej pasluftës, në Kosovë janë mbi 400 vrasje të pazbardhura, teksa kërkoi që secila vrasje të zbardhet, e posaçërisht vrasja e trefishtë në Gllogjan.
“Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”, shkroi Bajrami