Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Dh’unimi”.
Sipas njoftimit për media, i dyshuari, i paraqitur si person në këndim të Kuranit për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dyshohet se në banesën e tij në Fushë-Kosovë, gjersa kishte pranuar viktimën për ofrimin e shërbimit-trajtimin shëndetësor, i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur.
“Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjeko-ligjor për viktimën, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rastit në fjalë.