
Deçani mbrëmë është tronditur nga një ngjarje të rëndë.
I plagosuri në ngjarjen tragjike të Gllogjanit i është nënshtruar operacionit për t’ia hequr plumbin nga trupi. Nga Spitali njoftojnë se operacioni është kryer me sukses dhe i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku tha se pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Kanë qenë në autobus në linjën e fundit duke u kthyer në shtëpitë e tyre. Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe me aq sa jemi në njohur edhe organet e rendit janë duke bërë përpjekjet maksimale që krimineli të zihet sa më parë dhe të vihet para drejtësisë”, është shprehur Nagavci.
Në orën 19:00 të së premtes u raportua për një krim makabër të kryer në mes të fshatit Shaptej dhe Gllogjan. Një autobus që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, është sulmuar nga një person i maskuar, ku si rezultat kanë vdekur 3 persona dhe një është plagosur.
Policia e Kosovës i është përgjigjur rastit duke shkuar në vendin e ngjarjes.
I vdekur në vendin e ngjarjes kishte mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit.
Ndërkaq, të plagosur kishin mbetur edhe tre nxënës, ku dy prej tyre, vajzë dhe djalë të moshës 16-17 vdiqën në Spitalin e Pejës.