Ia siguroi tri pikët të vlefshme Lirisë, Memaj tregon ambiciet e klubit bardhezi

20:09 | 12 Mars 2022

Liria, sot ka arkëtuar tri pikë të vlefshme duke e mposhtur Istogun në kuadër të javës së 18-të në Ligën e Parë (Grupi A).

Bardhezinjët, si nikoqirë mposhtën istogasit me rezultat 2-1, me golat e Astrit Berishës dhe Blendi Memaj, duke treguar kështu që janë në formë të mirë.

Në tri ndeshjet e fundit, prizrenasit kanë arritur fitore, duke grumbulluar kështu pikët maksimale.

E “heroi” i ndeshjes për Lirinë në ballafaqimin e sotëm ishte mesfushori, Blendi Memaj që në minutat e fundit të ndeshjet shënoi golin e vlefshëm për t”ia siguruar klubit të tij fitoren e madhe.

Ani pse është rikthyer nga një lëndim i rëndë, Memaj nuk është ndalur asnjëherë, duke treguar kështu se është njëri nga shtyllat kryesore të klubit prizrenas.

Memaj, në një deklaratë për ORAinfo, ka folur për golin e rëndësishëm që e shënoi sot, duke treguar se synimi i tij dhe i klubit është rikthimi në Superligë, aty ku Liria e meriton të jetë.

“ Në tri ndeshjet e fundit kemi treguar një formë të mirë, duke rrëmbyer kështu pikë shumë të rëndësishme, që na mbajnë në krye të tabelës.

“Me këtë ritëm synojnë të vazhdojmë edhe më tutje, ani pse jemi të vetëdijshëm se konkurrenca është e fortë.

“Sot, treguan shpirtin luftarak deri në minutat e fundit ndaj Istogut, duke mos u dorëzuar asnjë moment, por që në fund iu gëzuam fitores. Natyrisht, jam i lumtur për golin që shënova pasi ai do të thotë shumë, jo vetëm për mua, por edhe për klubin.

“Do të përpiqemi që edhe në ndeshjet në vazhdim të tregohemi të kujdesshëm e të arkëtojmë sa më shumë pikë”, ka thënë Memaj.

Në 18-të ndeshjet e zhvilluara deri tani, Liria ka tubuar 28 pikë, duke u renditur në vendin e dytë në tabelë./ORAinfo/

Komento: