Ish-kryeshefi i KQZ-së: Serbia duhet t’i bëjë kërkesë Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, Kurti ka të drejtë

16:52 | 22 Nëntor 2023
ish-kryeshefi-i-kqz-se:-serbia-duhet-t’i-beje-kerkese-kosoves-per-mbajtjen-e-zgjedhjeve,-kurti-ka-te-drejte

Zgjedhjet e planifikuara lokale dhe parlamentare në Serbi janë caktuar më 17 dhjetor.

E kryeministri Albin Kurti ka shprehur nevojën për një marrëveshje të veçantë për të lejuar serbët e Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet serbe.

Në një letër të dërguar shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, Kurti ka theksuar se çdo marrëveshje që lejon votimin e serbëve të Kosovës duhet të vijë nga Serbia dhe të respektojë plotësisht sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Një gjë të tillë që e ka kërkuar Kurti, Serbia nuk do ta bëjë.

Kështu thotë për Front Online ish-Kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu.

Baraliu tha se me bërjen e kërkesës për zgjedhje, Serbia frikësohet për njohjen e Kosovës.

“Serbia nuk do të bëjë kërkesë, frikësohet që po e pranon Kosovën”, ka thënë Baraliu.

Nevojën e Kurtit për një marrëveshje për serbët e Kosovës për zgjedhjet, Baraliu e ka cilësuar veprim të duhur.

Ai thotë se ky veprim është në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Qeveria ka vepruar mirë në këtë aspekt që përmes OSBE por edhe publikisht që nëse Serbia dëshiron t’i mbajë zgjedhjet duhet të bëjë kërkesë. Veprimi i institucioneve tona është në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, tha Baraliu për Front Online.

Sipas Baraliut, Serbia është ajo që duhet ta bëjë këtë kërkesë për zgjedhjet.

“Qeveria serbe t’i bëjë kërkesë asaj të Kosovës dhe pastaj do të trajtohet kërkesa, kështu duhet të veprohet. Ajo që ka ndodh më herët ka qenë në kundërshtim me rregullat me legjislacionin e ligjet e Kosovës tash kërkohet që si dy shtete sovrane Serbia të bëjë kërkesë”, ka përfunduar Baraliu.

Megjithatë, serbët në Kosovë gjithmonë kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e Serbisë një praktikë që filloi në vitin 2017./Front Online/

Komento: