Ish Ministri i Energjisë reagon pas krizës me energjinë elektrike

23:30 | 27 Janar 2022

Kriza energjetike ka kapluar vendin.

Ish-Ministri i Energjisë dhe Minierave dhe ministër në disa Qeveri të Kosovës Ethem Çeku ka folur për krizën energjetike që ka kapluar Kosovën dhe rajonin.

Et’hem Çeku, që njihet edhe si themelues i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave me të cilën ka menaxhuar në kohërat më të rënda të mungesës së furnizimit në Kosovë, (vitet 2003 – 2006), thotë se opozita aktuale e as Qeveria Kurti duhet ndarë deklaratat politike nga çështjet me energjinë.

“Çështja e energjisë është çështje e sigurisë shtetërore-kombëtare, nuk është play-station. Pra shteti që ka probleme me energjinë elektrike, ka telashe me sigurinë e vet. Kryeministri Kurti, si intelektual i kohës, duhet ikur nga deklaratat politike, njejt edhe opozita duhet vepruar. Pra deklaratat politike duhet të ikin nga fusha e energjisë, kjo sepse ti nuk e din kur të bjen blloku i Kosoves A. Thjesht nuk e din, është bllok i viteve të 60-ta, njejt sikur një veturë e vitit 1960 me të cilën ti po don me një shpejtësi të madhe me u nis nga Peja në Prishtinë dhe në çdo moment ajo të lenë, kur ? ti nuk mund ta dijshë. Andaj po them nuk duhet të kemi këtu balona politik sepse nuk i duron realiteti, kur je në pushtet këto balona të çojnë në out. Edhe opozita, veç pak të ndalemi, mos ta teprojnë, i lus, mos ta teprojnë, kjo që e thash vlen edhe për ta. Njerëz sot e keni kilovatin në rajon 500 euro, blloqet ju thash i keni sikur veturat e viteve të 60-ta. Mos harroni në kohën time, kur e bëmë projekti për ‘Kosova C’ pastaj u quajtë ‘Kosova e Re’, nuk ka dert emri, por e keqja që politika se vazhdoj, ne flisnim për 56 euro kilovati dhe frikësoheshim mos po del shtrenjtë. Sot njeri e ke 500 euro dhe këtë nuk e cakton Kurti, as Memli, as Haradinaj, as Lumiri”, thotë Çeku për Radio1.
Tutje ish-Ministri i Energjisë dhe Minierave Et’hem Çeku ka folur për kohën e qeverisjes së tij ministrore dhe përpjekjet që do t’i bënte realitet.

“Nëse do vazhdonte projekti jonë për Kosovën C, sot nuk do bëhej fjalë për krizë. Ja pse? 11 miliardë tonë linjit i ka Kosova. Kjo është arma jote. Në vitet që po flasim BE e lejonte përdorimin e linjitit, ishim në rrethana krejt tjera nga sot dhe ti si Kosovë kishe siguruar investitorët më serioz global. Sot me Kosova C edhe do kishe energji për vete, edhe për ta shitur në shtetet tjera e edhe kur do të uleshe në tryezë me Serbinë sot, kryeministri Kurti energjinë do ta kishte bankomat për negociata. Thjesht njeri, përballë Vuçiqit dhe Brukselit ti do ishe fuqi. E shihni sot Rusia çka luan me gazin. Andaj këtu i them opozitës së sotme, edhe ju ndaluni! Pse? Sepse të gjitha qeveritë pas meje e Haradinajt, e mbajtën energjinë me subvencione për ta ruajtur stabilitetin politik dhe ikën nga Kosova C”, thotë tutje Çeku.

Duke folur për periudhën shpresëdhënëse për energjinë, vitet 2003-2006, ish-ministri i Qeverisë Haradinaj 1, Çeku, thotë se insistimi i tij për Kosovën C, që sot po shihet se dështimi i saj ka qenë politik dhe varësia për të mbetet imediate, atëkohë ka gëzuar mbështetje të fuqishme nga presidenti i vendit Fatmir Sejdiu.

“Në atë periudhë, unë isha ministër i AAK-së, në koalicion me LDK-në ishim, por unë shkova edhe të PDK. Ata ishin opozitë, unë mora mbështetjen e tyre për Kosovën C. Nuk dua të harrojë mbështetjen e pa rezervë të Presidentit Sejdiu. E falënderoi përjetësisht atë njeri. I pakursyer ishte me krejt qenien e vet presidenti. Edhe kryeparlamentari Daci ishte i informuar por kishte rezerva ndaj ndotjes. Në këtë mes, jam mbështetur fuqishëm nga kryeadministratori i kohës Johakim Riker i UNMIK-ut. Mirëpo ndodhi ajo që ndodhi, në kohën tonë qeveritë binin e ngriteshin dhe me to bashkë ra edhe Kosova C”, tha tutje Çeku.

Në këtë realitet kohor të krizës energjetike ish-ministri Çeku, për kryeministrin Albin Kurti ka propozim konkret të daljes nga situata.

“E them prap, kryeministri Kurti, si intelektual i kohës, mendoj se duhet të ofrohet me të gjitha palët, opozita të ndalet dhe paralelisht e me urgjencë në angazhojë ekspertizë ndërkombëtare të gjendjes së blloqeve. Me këtë, ne kuptojmë se cilat blloqe duhet mbyllur, cilat ja vlejnë remont dhe eventualisht ndonjë të ndërtojmë nga fillimi. Kjo e zgjidhë problemin, jo subvencionimi. Matematikat tjera, janë ëndrra pa kripë. Mos harroni tani duke ardhur nga Prishtina në Pejë, e pashë Goleshin. nuk ka erë, frymë, pra ti nuk mund të prodhosh e as të mendosh të investosh diçka ashtu si Kosovë. Hajde flasim për Hidrocentralet, po lëreni, miq, njerëz, Kosova sikur krejt bota po shkon nga periudhat e vuajtjes për ujë të pijes. Pra, hiqe nga rendi i ditës edhe këtë gjë. Kthehu nga ajo çfarë ke dhe ik nga politika. shikoni, me siguri kombëtare nuk bëhet politikë”, tha Çeku.

Ndryshe, Çeku njihet ndër ministrat më të fuqishëm në Qeveritë e kohës që ka shërbyer si dhe një prej kokave themeluese të AAK-së së Haradinajt. Në periudhat e qeverisjeve të Bajram Kosumit dhe Agim Çekut, madje njihej si kryeministër në hije i kohës.

Komento: