Ja kur pritet të zbriten çmimet e derivateve

21:31 | 22 Nëntor 2021

Çmimet e derivateve janë rritur.

Për shkak të numrit të madh të automjeteve në gjithë vendin, nevoja për t’u furnizuar me derivate është jashtëzakonisht e pranishme.

Kësisoj shumë qytetarë duhet që shpesh herë të vizitojnë pikat e ndryshme të karburanteve.

Por ajo me çfarë u përballën së fundi këta qytetarë, drejtues të shumtë të automjeteve ishin çmimet e larta të derivateve.

Por tani për tani qytetarët furnizohen me derivate në bazë të këtyre çmimeve.

Çmimet për furnizim me Dizell sillen nga 1.19 cent deri në 1.26 cent, ndërsa Benzina nga 1.22 cent deri më 1.31 cent.Në një përgjigje për lajmi.net, Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka deklaruar se çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese OPEC dhe kësisoj kur ka reduktim të prodhimit, çmimet rriten.

“Qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion. Përveç Maqedonia e Veriut e cila e ka Dizell-in më të lirë shkaku që akcizën e ka më të ulët për 22 cent në litër. Ndërsa në Benzinë çmimin e ka të njëjtë si tek ne”, tha ai.

Kurse sa i përket çmimeve të derivateve në Shqipëri, Dizelli është 1.50 cent, ndërsa Benzina 1.52 cent.

“Ne jemi më të lirë në çmime sesa në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri”, tha Berjani.

Sipas tij rritja e çmimeve e cila nisi nga 1 tetori pritet të zgjasë deri në janar të vitit 2022.

“Deri në janar 2022 kur pritet të ketë ulje të çmimeve. Ne naftëtarët nuk donim që të jenë këto çmime, por kjo na imponohet nga Berza si dhe OPEC.Madje kjo rritje e ka kapluar gjithë botën. Por në qoftë se mbyllen disa shtete të mëdha evropiane siç janë; Austria, Gjermania, Belgjika dhe disa të tjera atëherë ka shanca të ketë zbritje të çmimit qysh në fund të muajit”, shtoi ai.

Ndryshe mbyllja e disa prej shteteve evropiane është duke u bërë si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave nga virusi COVID-19.

Por kundër karantinimit dolën shumë qytetarë të cilët dhe protestuan.

Ndryshe furnizimi me çmime të larta në Kosovë nuk është vetëm në pikën e derivateve, por edhe në produktet ushqimore si dhe në gjërat më bazike për jetesën e njeriut.

Se deri kur do të funksionojnë këto çmime shumë të larta, mbetet të shihet në kuadër të vendimeve të reja nga institucionet përkatëse.

Deri në vendimin e radhës padyshim se rritja e këtyre çmimeve vetëm sa po e vështirëson jetën e qytetarëve si dhe ekonominë e ulët në përgjithësi në vend.

Komento: