
Sulmuesi anglez pritet të mbetet në Premier League.
Harry Kane i ka hedhur poshtë pretendimet se ai e ka çmimin prej 250 milionë funtesh, duke theksuar se është i përqendruar të fitojë trofe me Tottenhamin e nuk është duke menduar për t’u transferuar diku tjetër.
Mediat britanike kanë raportuar gjatë ditëve të fundit se drejtori ekzekutiv i Tottenhamit, Daniel Levy, ia ka bërë të qartë të gjithë të interesuarve për Harry Kane se për ta transferuar atë do të duhet ta thyejnë rekordin për transferimin më të shtrenjtë në histori, transmeton Gazet Express.
Në Tottenham besojnë se Kane mund të lirohet nga kontrata e tij me klubin londinez vetëm nëse klubet si Real Madridi dhe Paris Saint-Germaini shprehen të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha për t’i siguruar shërbimet e tij.

Megjithatë, 26-vjeçari e ka bërë të qartë se ai nuk u kushton vëmendje këtyre shqetësimeve, duke theksuar se ai dëshiron të fitojë trofe me klubin londinez.
“Kur bën punë të mirë si lojtar, kjo ta vendos një çmim mbi kokë. Por, shikoni, e gjitha që unë mund ta bëj është ta jap më të mirën për skuadrën dhe këtë e kam bërë gjithmonë”, ka thënë Kane.
“Unë gjithmonë kam tentuar të shënoj, gjithmonë kam tentuar të punoj sa më shumë, të fitoj gjuajtje të lira dhe ta kaloj standardin në çfarëdo mënyrë të mundshme”.
“Këtë gjë do të tentoj të vazhdoj ta bëj. Unë dua të fitoj trofe. Kjo është e qartë, natyrisht, dua ta arrij këtë këtë vit. E kam bërë të qartë se jam në këtë fazë të karrierës kur dua të fitoj trofe, e kam bërë të qartë se dua t’i fitoj ato këtu dhe ky është një vit i madh për ne”.