Kështu e kurdisi pushteti ardhjen e Bashkim Nurbojës në krye të BQK’së

17:22 | 01 Prill 2023

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka vendosur të mërkurën kryetari i këtij bordi, Bashkim Nurboja, të marrë përkohësisht postin e Guvernatorit.

Lidhur me këtë vendim, ka reaguar deputeti nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, i cili ka treguar hap pas hapi se si erdhi Nurboja në krye të BQK’së.

Hoti ka thënë se filliisht u bojkotua zgjedhja e Zëvendësguvernatorit gjatë tërë vitit 2022.

“Si rezultat, BQK mbeti pa Zëvendësguvernator, i cili në mungesë të Guvernatorit do të ushtronte detyrën e Guvernatorit”, ka shkruar Hoti.

Më pas thotë se procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore u cenua me veprime joligjore nga ana e disa anëtarëve të panelit përzgjedhës dhe si rezultat, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk mundi ta përcjell listën me propozime në seancë të Kuvendit për votim.

E për t’i hapur rrugë Nurbojës për pozitën e Guvernatorit, Hoti thotë se është shkarkuar ushtruesja e detyrës së Zëvendësguvernatorit.

“Ushtruesja e detyrës së Zëvendësguvernatorit duket se është shkarkuar këto ditë për t’i hapur rrugë Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të marrë detyrën e Guvernatorit”, ka shkruar Hoti.

Nurboja ka qenë kandidat i VV-së për kryetar të Pejës në vitin 2017 dhe kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019. Gjithashtu në Qeverinë Kurti 1, Kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar Nurbojën zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Komento: