Konfirmohet nga Policia arrestimi i Agim Ademit

11:20 | 17 Mars 2022

Policia e konfirmon arrestimin e Agim Ademit.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Kreu i futbollit kosovar akuzohet për sulm fizik ndaj zyrtarit të këtij institucioni, Artan Govori, i cili dje pasi u sulmua nga eprori i tij, e paraqiti rastin në polici, shkruan “Gazeta Express”.

E kjo e fundit, në raporton 24 orësh ka njoftuar se e ka pranuar raportimin për sulm fizik dhe se e ka arrestuar më pas numrin 1 të futbollit të këtushëm.

“Prishtinë, 16.03.2022 – 13:30. Është raportuar se ka ndodhur një sulm fizik ku i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia e Kosovës.

Govori ka qenë i ashpër në deklaratat ndaj Agim Ademit, teksa ka treguar se është kapur për fyti nga ai.

Kjo nuk është hera e parë që në FFK ndodhin incidente të tilla, e që protagonist e kanë vetë kreun e futbollit kosovar.

Agim Ademi, i cili po e kërkon edhe një mandat katërvjeçar në krye të FFK-së është dërguar për 48 orë në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Komento: