Konjufca prezanton tri pika për shpëtimin e Telekomit

11:34 | 14 Maj 2019

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme për Telekomin.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në hapjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për Telekomin, ka fajësuar ish-qeverisjen Thaçi për shkatërrim të Telekomit teksa ka prezantuar tri pika për shpëtim, siç ka thënë ai.

“Telekomi është në shkatërrim. Protagonisti kryesor që ishte kryeministër ishte Hashim Thaçi, kur ishte ish shefi i Telekomit Shyqëri Haxha dhe partia e Kadri Veselit. Nga këta është instaluar një praktikë e punësimeve pa kriter. Telekomi ka shërbyer si parajsë e keqpërdorimeve. Pushtetarët kanë vendosur edhe në cilat oborre të vendosen antenat e Valës. Nga një kompani që i sillte Kosovës të hyra ajo është buzë falimentimit”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, kontrata e lidhur më 2009 mes Dardafonit dhe Telekomit i ka sjellë kompanisë private fitim 73 për qind dhe se “prokuroria pretendon se Telekomi është dëmtuar 200 milionë euro nga kjo kontratë e në çdo vend të botës një kontratë e tillë dënohet me burg”.

Sipas tij, tri pika që duhet zbatuar për shpëtim të Telekomit janë: Respektimi i rezolutës që është votuar në Kuvend vitin e shkuar, të mos njihet kurrfarë borxhi i Dardafonit dhe të mos vazhdohet kontrata me Z-Mobile.

Ai i ka bërë thirrje kryemisnitrit Haradinaj që nëse minsitri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin, Lluka ështe i kapur nga pronarët e Dardafonit, Haradinaj e ka rastin të mos e vazhdojë kontratën për Telekomit nëse do të shpëtojë Telekomin duke treguar kështu që nuk është i kapur edhe ai.

Komento: