Kosova rrezikon pezullimin nga UEFA, ja rastet që e dëshmojnë këtë

22:43 | 06 Dhjetor 2019

Duket se Kosova është në rrezik prej pezullimit nga UEFA.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i ka përmendur rastet e Greqisë dhe Shqipërisë, të cilat dëshmojnë se Kosova e rrezikon pezullimin apo ndonjë ndëshkim tjetër nga UEFA e FIFA nëse do të ketë edhe më tutje ndërhyrje politike në futboll.

Federata e Futbollit e Kosovës është trazuar gjatë ditëve të fundit pasi që grupit opozitar të saj i është bashkuar edhe njëri ndër zyrtarët më të lartë të vetë Federatës, zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti, shkruan Gazeta Express.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022, por vetëm deri ne vitin 2020, duke e konfirmuar vendosmërinë e tij për ta marrë postin e kryetarit në FFK.

Arianit Ahmeti thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Ndërkohë, për Ahmetin u mor vendim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shkarkuar, pasi që u tha se ai po e shfrytëzonte postin e tij për ta dëmtuar Federatën e për ta promovuar veten.

Për të gjithë këtë situatë, Salihu ka thënë se UEFA e FIFA janë të informuar dhe ka shtuar se ata kanë mbetur të habitur nga ky rast.E Salihu është i bindur se implikimet politike në futboll nuk do të lejohen nga UEFA e FIFA.

“Greqia tash e ka një këshilltar të UEFA-s në Federatë, ia ka dërguar UEFA që të mos lejohet as shtetin e askënd tjetër të ndërhyjë, ose i ka thënë se do ta përjashtojnë. As në Shqipëri s’kanë lejuar implikime politike”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Kur jemi të dënimet e UEFA-s dhe FIFA, dikush më tha se mund të na përjashtojnë krejt. Por këtyre personave nuk u intereson. Ata duan ta shkatërrojnë shtetin. Nëse nuk intervenon Prokuroria për t’i ndalur këto vende, do të kemi pasoja të rënda nga të cilat s’do të mund të kthehemi”.

Në vitin 2014, Federata e Futbollit të Nigerisë u përjashtua nga të gjitha garat ndërkombëtare pas ndërhyrjes së qeverisë në shkarkimin e krerëve të federatës. Njëjtë ka ndodhur edhe me Kamerunin në vitin 2013.

Komento: