Kosovarët të “zhytur” në kredi, kaq para morën në bankat e vendit

20:43 | 27 June 2022

Kosova po vazhdon të përballet me krizë ekonomike.

Kriza ekonomike e cila ka goditur së fundi Kosovën, si dhe shumë vende të tjera të rajonit e botës padyshim se në shumë raste për qytetarët është vështirë e papërballueshme.

Gjatë vitit të kaluar, por edhe këtë vit kosovarët nuk kanë ndaluar së aplikuari për kredi bankare, pavarësisht që norma e interesit në kredi shumë shpesh del të jetë e lartë, shkruan lajmi.net.

Jo çdoherë është e njëjtë, por në të shumtën e rasteve norma e interesit në kredi është 5.6 për qind e sipër.

Për ekonomitë familjare kjo normë është 6 për qind, prej të cilave konsumuese 6.4% dhe hipotekare 4.8%.

Ndërsa për korporata jofinanciare është 5.4 për qind, prej të cilave, 4.4%, industriale 5.7% dhe shërbyese 5.2%.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Bankën Qendrore të Kosovës nga ku është theksuar se deri në muajin prill të vitit 2022, vlera totale e kredive të lëshuara nga sektori bankar është 3.9 miliardë euro.

Sipas BQK-së, bazuar në të dhënat e sistemit të regjistrit të kredive, aktualisht janë 547 mijë e 291 kredimarrës, që kanë një apo më shumë kredi aktive në sektorin bankar të Kosovës.

“Deri në muajin prill të këtij viti, vlera totale e kredive arriti në 3.9 miliard euro. Bazuar në të dhënat e gjeneruara nga data baza e sistemit të Regjistrit të Kredive, aktualisht figurojnë 547291 kredimarrës, që kanë një apo më shumë kredi aktive në të gjithë sektorin.”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas BQK-së, në periudhën janar-prill të këtij viti, vlera e kredive të reja ka arritur në 656.6 milionë euro apo 157.4 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera e kredive të reja për të njëjtën periudhë ishte 499.5 milionë euro.

“Ju njoftoj se në periudhën janar – prill të këtij viti, vlera e kredive të reja ka arritur në 656.9 milionë euro apo 157.4 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera e kredive të reja për të njëjtën periudhë ishte 499.5 milionë euro. Deri në muajin dhjetor të vitit 2021, vlera totale e kredive të lëshuara nga sektori bankar ishte 3.7 miliard euro.”, u theksua tutje nga BQK.

Ndryshe në Kosovë sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës janë gjithsej 11 banka, ku nëntë prej tyre janë në pronësi të huaj.

Këto banka në territorin e Kosovës kanë 198 njësi, si dhe kanë të punësuar 3 mijë e 497 punëtorë.

Gjatë muajve të fundit ku kriza ekonomike dhe përballja me rritje ekstreme të çmimeve ka ndikuar që kosovarët të aplikojnë për kredi qoftë edhe për shpenzime ditore e barna.

E në kuadër të sistemit bankar, kosovarët nuk kanë vetëm kredi. Në disa raste ata kanë arritur edhe që të mbledhin kursime.

Në muajin prill depozitat kanë arritur në gjithsej 4 miliardë e 776 milionë euro.

Nga e gjithë kjo vlerë kursimesh, 3 miliardë e 384 milionë janë depozita vetëm të ekonomive familjare, kurse 861.6 milionë depozita të korporatave jo financiare, dhe 209.9 të korporatave të tjera financiare.

Kurse sipas raportit BQK-së, rreth “Informatave Mujore të Sistemit Financiar” për muajin prill 2022, depozitat e qytetarëve në valutat e tjera përveç euros, janë në vlerë të 202.8 milionë eurove.

Komento: