Kryeministri Kurti në 31-vjetorin e Flakës së Janarit: Duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kryeministri Kurti në 31-vjetorin e Flakës së Janarit: Duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve

23:09 | 17 Janar 2022

Kurti në 31-vjetorin e Flakës së Janarit: Duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë.

“Janari është muaji i dhembjes në historinë shqiptare”, kështu e filloi fjalën e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Akademinë e Flakës 2022 në kuadër të 31-vjetorit të manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit”. Ai përmendi vdekjen e heroit kombëtar Skënderbeut më 1468, vrasjen e Isa Boletinit 1916, vdekjen e Ismail Qemajlit 1919, rënien e Rexhep Malës e Nuhi Berishës 1984, masakrën e Reçakut 1999, që të gjitha kishin ngjarë në muajin janar.

Por Flaka e Janarit, është jo vetëm përkujtimi i dhembjes për humbjen e heronjve tanë në luftën për liri, por njëherit është edhe drita e flakës që ndriçon rrugën e brezit tonë dhe brezave që do të vijnë për një të ardhme të ndritur të Atdheut tonë, tha kryeministri Kurti.

“Si pasardhës të gjeneratave të tëra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në trojet shqiptare, vazhdimisht marrim energji nga zjarri i mbajtur ndezur me jetën, veprën dhe vdekjen e tyre nga Gjon Sereçi, Metush Krasniqi e i madhi Adem Demaçi me shokë dhe shumë prijatarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim dritë nga Flaka e Janarit të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit, Nuhiut, Zijahut, Bajramit, Afrimit, Fadilit e mijëra veprimtarëve të rënë në epoka të ndryshme deri te Lufta Çlirimtare e Adem Jasharit dhe UÇK-së dhe mijëra dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës”, shtoi më tej ai.

Duke marr si shembull aktivitetin e Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën në botën e jashtme demokratike përmes së cilit njoftohej opinionin ndërkombëtarë për shtypjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ai foli për rolin e rëndësishëm të mërgatës shqiptare e cila po shndërrohej në një forcë të madhe me potencial politik, ekonomik, e intelektual për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Lëvizje kjo që kulmoi me rolin vendimtar për përgatitjen, furnizimin dhe organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë më 1998 dhe 1999.

Amaneti i Rilindësve se vetëm bashkimi i penave dhe pushkëve e sjell lirinë e popullit, për herë të parë u realizua në trojet shqiptare nga Jusufi, Kadriu e Bardhoshi me shokë, u shpreh kryeministri Kurti. Bashkë me përkujtimin për Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, sot dhe përgjithmonë, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ato bija e bij, gra e burra, vajza e djem, që me jetën e tyre e mbajtën të ndezur flakën e Lirisë ndër shekuj. Ne duhet të mësojmë nga jeta, vepra dhe betimi i tyre për atdheun, prandaj të gjithë qytetarë të thjeshtë dhe bartës të funksioneve shtetërore, duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë tha në fund kryeministri Kurti.

Më pas kryeministri Kurti, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyeni vizitoi edhe ekspozitën kolektive të artit pamor në kuadër të manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit”.

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Të nderuara familje të heronjve Zeka, Gërvalla, Malaj, Berisha e Shemsiu,

Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve të Luftës për Liri,

Të nderuar bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë të heronjve të Luftës për Liri,

Të nderuar luftëtarë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

I nderuari Kryetar i Komunës së Gjilanit,

I nderuari Ambasador i Republikës së Shqipërisë,

I nderuari Drejtor i Institutit Albanologjik,

I nderuari Rektor i Universitetit të Gjilanit,

Të nderuar kolegë anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuara qytetare e qytetarë të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Të dashura motra dhe vëllezër,

Janari është muaji i dhembjes në historinë shqiptare. Vdekja e heroit kombëtar Skënderbeut më 17 janar 1468, vrasja e Isa Boletinit 23 janar 1916, vdekja e Ismail Qemajlit 24 janar 1919, rënia e Rexhep Malës e Nuhi Berishës 11 janar 1984, dhe masakra e Reçakut më 15 janar 1999.

Ne, si pasardhës të gjeneratave të tëra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në trojet tona, vazhdimisht marrim energji nga zjarri i mbajtur ndezur në jetën, veprën dhe vdekjen e tyre nga Gjon Sereçi, Metush Krasniqi e i madhi Adem Demaçi me shokë dhe shumë prijatarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim dritë nga Flaka e Janarit të Kadriut, Jusufit e Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut, Zijahut, Bajramit, Afrimit e Fadilit e mijëra veprimtarëve të rënë në epoka të ndryshme deri tek Lufta Çlirimtare e Adem Jasharit dhe UÇK-së dhe mijëra dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës.

Rruga e bashkimit e trasuar nga Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi me shokë, ndryshoi rrjedhën e luftës për liri. Prandaj, 17 Janari shënon ndër ditët më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.

17 Janari shënon 40 vjetorin e vrasjes fizike të tre heronjve të popullit të Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit. Mirëpo, kjo vrasje fizike e tre bijve të popullit e ngjalli shpirtin patriotik të një populli të tërë. UDB-ja jugosllave vërtetë goditi rëndë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare por ngjalli shpirtin luftarak dhe ngriti në këmbë popullin tonë.

Amaneti i Rilindësve se vetëm bashkimi i penave dhe pushkëve e sjell lirinë e popullit, për herë të parë u realizua në trojet shqiptare pikërisht nga Kadriu, Jusufi e Bardhoshi me shokë.

Organizimi dhe udhëheqja e demonstratave dhe i mërgimtarëve në botën e jashtme demokratike nga Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, përmes të cilave bota demokratike njoftohej me shtypjen e shqiptarëve në ish Jugosllavi, sidomos në Serbi, në Maqedoni e në Mal të Zi, e rrëzonte propagandën e rrejshme të deriatëhershme jugosllave për jetën e mirë e të lirë të qytetarëve, për vetqeverisjen e njësive përbërëse, dhe bashkim-vëllazërimin midis popujve. Mërgata shqiptare po shndërrohej në një forcë të madhe me potencial politik, ekonomik, kulturor e intelektual për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që kulmoi me rolin vendimtar për përgatitjen, furnizimin dhe organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë në dy vitet e fundit të shekullit të kaluar.

Vepra e tyre madhore e bashkimit të të gjitha grupeve politike me karakter kombëtar, e të cilat vepronin dhe kishin vepruar në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi, për shumë vite e dekada, pra, shndërrimi i gjithë kësaj në një Lëvizje të vetme kombëtare me potencial të jashtëzakonshëm të panjohur deri më atëherë, e tmerroi UDB-ën. Pikërisht kjo frymë e bashkimit gjithëshqiptar në një Lëvizje Kombëtare Shqiptare në ish Jugosllavi u bart në të gjitha fazat e zhvillimeve të mëvonshme, deri në shpërbërjen e ish Jugosllavisë dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme e kishin kuptuar se dora dhe mendja e këtyre veprimtarëve ishte e mbushur me fuqi atdhetare për bashkimin, se ata ëndërruan dhe treguan, shkruan e vepruan për lirinë. Ata bashkërisht treguan e dëshmuan se Liria, e ardhmja dhe fati jonë, për të gjithë ne, për popullin tonë, janë të përbashkëta, të pandashme, andaj ata e ëndërruan lirinë e barazinë e shqiptarëve në trojet e tyre që kishin mbetur jashtë Republikës së Shqipërisë.

Ishin idealistë të paepur, por edhe realistë objektivë, të bindur se ne nuk mund të luftojmë të ndarë e të vetëm, por vetëm të bashkuar e me shumë miq e meritojmë dhe e fitojmë Lirinë. Prandaj, ashtu siç thoshte edhe Jusufi, ata ndërgjegjshëm jetuan falas por fuqishëm, duke e ditur se do të vijë momenti i flijimit për Kosovë, Shqipëri e shqiptarizëm.

Vrasja e tre tribunëve të Lëvizjes vazhdoi me fushatën e gjerë të arrestimeve të pjesëtarëve të organizatave të fshehta patriotike që vepronin në Kosovë dhe kjo nuk mund të ishte rastësi. Pasuan vrasje e likuidime të tjera, Raxhep Mala dhe Nuhi Berisha djali i dajës së Kadriut, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Ali Ajeti e Bajram Bahtiri e shumë të tjerë.

Andaj nuk bënë asnjëherë të harrojmë se para tre luftërave të fundit të zhvilluara në Kosovë, Maqedoni e në Luginë, ka qenë edhe një luftë tjetër, vetëm gjatë viteve të ’80-ta, janë më shumë se 200 dëshmorë, shqiptarë të angazhuar në organizata çlirimtare të Kosovës e të trojeve të tjera në ish Jugosllavi. Në atë dekadë mbi 80 për qind e të burgosurve politikë në krejt Jugosllavinë ishin shqiptarë.

Ne, bashkë me përkujtimin për Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, sot dhe përgjithmonë, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ato bija, gra e burra, vajza e djem, që me jetën e tyre e mbajtën të ndezur flakën e Lirisë ndër shekuj.

Ne mund t’i bëjmë të gjitha, më së miri, mirëpo ne mund të humbim të gjitha nëse nuk e kemi kthyer besimin e njerëzve për një jetë të lirë e të lumtur në Kosovë. Ne duhet ta kthejmë frymën, shpirtin e bashkimit dhe forcimin e shtetit. Kjo ishte ëndrra, ky ishte ideali dhe kjo është porosia jetësore e heronjve tanë.

Në njërin prej shkrimeve dhe fjalimeve të shumta të Kadri Zekës, ai theksonte rëndësinë e bashkimit pa dallim. Po citoj: “Çastet e vështira që po kalon populli ynë dhe rreziqet që i thuren atij e bëjnë edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë. Pra, vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike mund ta shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. T’i bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë, të qojmë në vend amanetin e të parëve tanë. S’e tradhtojmë dot gjakun dhe porosinë e patriotëve tanë të shquar që nuk kursyen as pikën e fundit të gjakut për lirinë e truallit arbëror. Por, populli ynë nuk mund ta harrojë e tradhtojë as gjakun e mijëra vëllezërve e motrave tonë që këto ditë po derdhin pa kursim në përleshjet me shovinistët jugosllavë. Ata mbyllën Universitetin e Kosovës të cilin a patëm krijuar me aq mundime e sakrifica dhe pushuan shumicën dërmuese të pedagogëve të tij, anuluan të gjitha marrëveshjet e mëparshme në mes Shqipërisë dhe Kosovës që kishin të bënin me bashkëpunimin në fushën e kulturës, artit dhe arsimit. Po largojnë nga punë shumë punëtorë shqiptarë në ndërmarrje si dhe shumë mësimdhënës të shkollave të mesme dhe atyre fillore. Kanë vendosur t’i ndryshojnë të gjithë tekstet mësimore të gjuhës, të historisë e të tjera dhe kanë në plan të marrin shumë masa të tjera reaksionare kundër popullit tonë”, këto i thoshte e i shkruante Kadri Zeka.

Investoheshin shumë mjete për të penguar në Kosovë edhe transmetimin e Televizionit Shqiptar nga Tirana.

Unë isha fëmijë asokohe, por e mbaj mend se si në atë frekuencë të Televizionit Shqiptar në ekran shfaqej një perde, si tabela e shahut me kuti katrore të bardha e të zeza, po pa figura. Kurse politika zyrtare e dirigjuar nga Beogradi trumbetonte në të gjitha edicionet e lajmeve duke kërcënuar kudo e këdo me urdhrin dëno demonstratat.

Pra, ky ishte konteksti politik e shoqëror, në të cilin pas demonstratave të vitit 1981, vepronin Kadriu, Jusufi e Bardhoshi. Ishte shumë rrezik, shumë vështirë por këta ishin të pandalshëm.

Sigurisht, po të mund të na shihnin e dëgjonin ata tani do të na këshillonin e mbase edhe qortonin për çështjet e ndryshme, punët e shumta, por sigurisht që do të insistonin që me çdo kusht e me të gjitha mjetet të mbrojmë territorin dhe sovranitetin e Kosovës; sigurisht që ata do të ishin në ballë të luftës për të mos lejuar copëtimin e shfrytëzimin e Kosovës.

Andaj, edhe me këtë gjë në mendje ne duhet të jemi në veprimin tonë.

Në poezinë e tij “Do të kthehem nënë” Jusuf Gërvalla e mbyll me vargjet:

“N’atë vatër ku së pari zëri im jehoj,

andej nipat le të ngrejnë shtëpi”

Jusuf Gërvalla e ka ditur se në rrugën të cilën po e ndiqte do të ishte shumë e vështirë të kthehej i gjallë tek nëna e te mëmëdheu. Shtëpinë tonë të përbashkët do të duhet të ngrinimin ne nipërit e Jusuf Gërvallës, të Kadri Zekës, të Bardhoshit dhe shumë të tjerëve si ata.

Mbase mund të themi që në këtë kuptim, nip nuk lind por nip bëhesh, duke ngritur shtëpinë te nëna dhe vatra aty ku kthehesh. Ky është zëri që jehon për nipërit që e ngrenë Kosovën si shtëpi të dashur, si Kosovë me drejtësi për popullin e saj, Kosovë që zhvillon potencialin e vet produktiv, për Kosovë pa korrupsion e krim, për një Kosovë Republikë me demokraci, dhe liri dhe bashkim.

Ne duhet të mësojmë nga jeta dhe vepra e tyre, nga betimi i tyre për një jetë më të mirë në Atdheun tonë të lirë. Ata na kanë mësuar se si duhet Atdheu, ata na kanë mësuar se si duhet krijuar e ushqyer shpirti i lirisë dhe i përparimit. Prandaj, të gjithë ne, qytetarë të thjeshtë dhe bartës të funksioneve shtetërore, duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë.

Flaka e Janarit, është jo vetëm përkujtimi i dhembjes për humbjen e heronjve tanë në luftën për liri, por njëherit është edhe drita e flakës që ndriçon rrugën e brezit tonë dhe të brezave që do të vijnë për një të ardhme të ndritur të Atdheut tonë.

Lavdi e përjetshme për jetën dhe veprën e Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut!

Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të Lirisë!

Komento: