Kryeprokurori i Speciales nuk i komenton raportimet e mediave serbe për aksion në Veri

14:29 | 10 Dhjetor 2021

Raportimi i mediumit serb për aksion në Veri, kryeprokurori i Speciales refuzon ta komentojë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, nuk e ka komentuar raportimin e mediumit serb “Kurir” dhe mediave të tjera serbe se Policia e Kosovës po përgatit aksion policor në veri të vendit.

I kontaktuar nga T7, Blerim Isufaj ka thënë se nuk i komenton rastet e tilla.

“Nuk i komentoj rastet e tilla”, tha Isufaj për T7, transmeton Gazeta Express.

As Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar se njësia speciale është mobilizuar në Mitrovicën e Jugut, për të kryer aksion në pjesën veriore.

Gazeta serbe “Kurir” që i shërben drejtpërdrejt presidentit Aleksandër Vuçiq shkruan se Policia e Kosovës po përgatit një operacion në veri me forcat e saj speciale.

Media serbe”Kurir” që i shërben Aleksandër Vuçiqit shkruan se njësitë speciale të policisë së Kosovës janë duke qëndruar në pjesën jugore të Mitrovicës që nga mëngjesi i sotëm.

Sipas tyre ata po qëndrojnë në bazën e policisë speciale Belvedere me diku 100 pjesëtarë të armatosur që janë në gjendje gatishmërie.

“Kurir” raporton se tri makina të policisë speciale janë duke qëndruar gati teksa një njësi tjetër është dërguar nga Prishtina.

Në tetor të këtij viti ishte zhvilluar një aksion në Veri për luftimin e mallrave të kontrabanduara. Por pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin hasur në rezestencë atje dhe disa nga ta kishin pësuar lëndime trupore.

Më pas në konferencë Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kishte thënë se për këtë aksion ka pasur rrjedhje të informacionit.

Komento: