Kryeshefi i Telekomit ka një kërkesë për deputetët: Ta shpetojmë Telekomin

11:00 | 14 Maj 2019

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në Telekom.

Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga deputetët që të jenë konstruktiv dhe të reflektojnë pozitivisht rreth gjendjes në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës.

Ai ka thënë se të bashkuar mund të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet e grumbulluara në Telekom, përcjell ORAinfo.

Ja postimi i plotë i tij në Facebook:

Meqenëse sot Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme, ftoj të gjithë deputetët që të arrijnë të zhvillojnë debat konstruktiv dhe të reflektojnë pozitivisht rreth gjendjes në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, dhe jam poashtu i bindur se të gjithë së bashku do të mund të gjejmë zgjidhjen e duhur për problemet e grumbulluara, duke u fokusuar racionalisht në strategjinë e daljes.

Gjatë këtyre ditëve i kam informuar të gjitha institucionet e vendit, përfshirë Kryeministrin Haradinaj, MZHE-në, Komisionin Hetimor Parlamentar dhe deputetë të partive të ndryshme politike rreth situatës aktuale në Telekomin e Kosovës dhe mundësisë së arritjes së një qëndrueshmërie dhe stabiliteti financiar.

Telekomi i Kosovës i ka dhënë shtetit të Kosovës qindra miliona euro në formën e dividendës ndër vite dhe tani ka ardhur koha që kjo ndërmarrje publike të marrë mbështetjen e merituar shtetërore, pasi që është aset strategjik nacional.

Komento: