Kurti: Ende nuk ka të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, informacionet po shtohen

16:54 | 28 Nëntor 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk kanë një të dyshuar për krimin e rëndë në Gllogjan të Deçanit, ku mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Por kreu i qeverisë tha sot se informatat lidhur me vrasjen në Gllogjan janë duke u shtuar.

“Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48-orëshit, ende nuk e kemi zgjidhjen. Por nuk po mungon angazhimi, është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin e hulumtimin, në mënyrë që të sillet para drejtësisë vrasësi apo vrasësja.

Edhe më tej kemi 2-3 pista. Momentalisht nuk kemi të dyshuarin të pandehurin, porsa të kemi informacione për këtë, sigurisht se do të ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit që po marrim me hulumtimin e hetimin që po bëhet, edhe nga vendi i ngjarjes, e sidomos nga marrja në pyetje e dëshmitarëve.

Por, nuk e kemi emrin ose emrat e përveçëm të vrasësit”, ka thënë Kurti, pas varimit të dy nxënësve të vrarë, ku ka vizituar Stacionin e Policisë në Deçan.

Komento: