Kurti tregon se po i përgatitet vizita në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm

15:00 | 05 Dhjetor 2021

Kurti vitin e ardhshëm do ta vizitojë SHBA-në.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se stafi i tij po e përgatit vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila siç tha ai, do të zhvillohet në fillim të vitit të ri, raporton Gazeta Express.

Në një konferencë për media, Kurti tha se nuk do të njoftojnë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë i vizitës.

“Shefi i stafit të kryeministrit, Z. Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo ne nuk do të njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti.

Kurti në shtator, në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se gjatë nëntorit do të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 20 shtator, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në seancën e Kuvendit se pse nuk ka shkuar në Asamblenë e Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Kurti tha se nuk ka pasur synim të shkonte atje, rrjedhimisht edhe s’ka aplikuar për vizë.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë kryeministri.

Komento: