
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku të mërkurën do të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Brukseli do të mirëpresë liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor. Në fokus të samitit do të jetë rëndësia strategjike e marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit, si dhe progresi në integrimin gradual të shteteve aspirante.
Bashkimin Evropian në këtë samit do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Liderët do të vlerësojnë ecurinë e integrimit gradual të rajonit në Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të diskutojnë hapat e mëtejshëm për zbatimin e tij.
Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.
Serbia mungon për të dytën herë në samit
Serbia nuk do të marrë pjesë në samit për të dytën herë. Presidenti në detyrë dhe kryetari i Kuvendit, Aleksandar Čupić, nuk do të jetë i pranishëm për shkak të periudhës tranzitore në Beograd pas zgjedhjeve të përgjithshme, situatë kjo që është mirëkuptuar nga zyrtarët evropianë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-presidenti serb Aleksandar Vučić bojkotoi samitin si reagim ndaj mos hapjes së grupkapitullit të tretë në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Mali i Zi pranë përfundimit të negociatave
Samiti i radhës BE–Ballkani Perëndimor mund të jetë i fundit ku Mali i Zi merr pjesë me statusin e vendit kandidat, pasi Podgorica është pranë përfundimit të procesit të negociatave për anëtarësim.
Mali i Zi synon t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të këtij viti, ndërsa nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit pritet të realizohet jo më herët se në qershor të vitit të ardhshëm.
Pas këtij hapi, vendi do të kalojë në statusin e vendit aderues në Bashkimin Evropian.
Agjenda e samitit
17:00 – Mbërritja e liderëve
17:40 – Mirëpritja zyrtare
Reklamë
18:00 – Seanca plenare
19:05 – Fotoja familjare
19:15 – Konferenca për shtyp
20:00 – Darka