Ky është lojtari që po bën “namin” sot, Milan humbi shansin ta transferonte

20:43 | 19 Mars 2022

Arnaut Danjuma, po kalon një sezon fantastik me Villarrealin, por anësori holandez ishte shumë afër AC Milan në të kaluarën.

Arnaut Danjuma, ka qenë një sensacion këtë sezon me Villarreal. Anësori i majtë holandez 25-vjeçar ishte një nga protagonistët e mëdhenj në fitoren mahnitëse 3-0 të Villarrealit kundër Juventusit, duke eliminuar italianët nga Champions League,përcjell ORAinfo.

Danjuma iu bashkua Villarrealit verën e kaluar për gati 24 milionë euro, por janë para të shpenzuara mirë nga nëndetësja e verdhë.

Klubi spanjoll ka në skuadrën e tij një nga lojtarët më të kërkuar në të gjithë Evropën, me një luftë ofertash që do të nisë kur të hapet dritarja e transferimeve të verës.
Megjithatë, Arnaut Danjuma ishte shumë pranë bashkimit me AC Milan dy vjet më parë.

Agjenti i Danjuma, Michael Jarma, konfirmon atë që kishte raportuar acmilaninfo.com në atë periudhë.

“AC Milan donte të blinte Danjuma në merkaton e janarit të vitit 2019 kur ai luante për Clube Brugge, por të dy klubet nuk mundën të gjenin një marrëveshje për tarifën e transferimit”.

Kuqezinjtë hezitonin të shpenzonin 20 milionë euro për një lojtar që kishte impresionuar në Belgjikë, por në të njëjtën kohë kishte humbur pjesën më të madhe të sezonit për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës. Në fund, anësori holandez kalon te Bournemouth për rreth 16 milionë euro. Ai dështoi të lërë gjurmë në Premier League, por është shumë më mirë në Spanjë.

Këtë sezon Danjuma ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar 4 në 26 paraqitje duke ndihmuar Villarrealin të arrijë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. 25-vjeçari ka një klauzolë lirimi prej 75 milionë eurosh të integruar në kontratën e tij, e cila mund të aktivizohet në çdo kohë.

Liverpool është klubi më i interesuar për shërbimet e tij./ORAinfo/

Komento: