Ky është objektivi kryesor i Juventusit këtë merkato

14:04 | 24 Gusht 2020

Mësohet kush është objektivi kryesor i Juventusit këtë merkato.

Objektivi primar i Juventusit në merkato, është të afrojë në skuadër një sulmues qendror që të dijë të dalë shpesh nga zona e të tërheqë mbrojtësit, për të liruar hapësira për Cristiano Ronaldon, pak a shumë siç ndodhte te Reali i Madridit, kur ylli portugez luante në krah të Benzema.

E në pamundësi për të afruar sulmuesin francez, i cili është pjesë e rëndësishme e projektit të Realit të Madridit, te Juventus kanë identifikuar si profilin ideal për atë pozicion, sulmuesin 34-vjeçar të Romës, Edin Dzeko.

Ky i fundit është mjaft i fortë në luftën në ajër, di të ulë topa për shokët, por mbi të gjitha del shpesh nga zona, duke tërhequr pas vetes qendërmbrojtësit kundërshtarë dhe duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës.

Plani i Pirlos është që të luajë me një rreshtim 4-3-3 dhe në vijën e parë të sulmit të aktivizojë treshen Ronaldo-Dzeko-Dybala, me argjentinasin e portugezin që do të nisen nga krahët, por me lejen për t’u futur shpesh në zonë dhe për të përfituar nga hapësirat që do t’u krijojë boshnjaku.

Presidenti i ri i verdhekuqve ka deklaruar se nuk do të lejojë largimin e sulmuesit boshnjak, por te Roma janë të bindur se kanë në dorë një shans të artë për të arkëtuar rreth 15 milionë euro për një 34-vjeçar, që për më tepër është më i paguari në ekip.

Komento: