Lajçaku kundër ridizajnimit të kufijve e masës së reciprocitetit të paralajmëruar nga Kosova – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Lajçaku kundër ridizajnimit të kufijve e masës së reciprocitetit të paralajmëruar nga Kosova

15:44 | 04 Maj 2021

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka theksuar se është rreptësishtë kundër idesë së ridizajnimit të kufijve në Ballkan, por ka thënë po ashtu se nuk përkrah as masën e reciprocitetit të paralajmëruar nga Kosova ndaj Serbisë.

Në një konferencë online të Institutit Italian për Studime Politike, Lajçaku e ka cilësuar të rrezikshëm idenë për ridizajnim të kufijve në Ballkan, sikur që u paralajmërua nga një non-paper i publikuar nga mediat sllovene. Këtë ai e ka parë si kërcënim për luftë.

“Ideja për ridizajnim të kufijve, s’është e re. Ka qenë për shumë vjet. Por disi u kthye tash. Thellësisht s’pajtohem me të. E shoh si ekstremisht të rrezikshme dhe kërcënim për luftën. Me implementimin e kësaj ideje do të përmbushnim idenë e Millosheviqit dhe Tuxhmanit. Këtë nuk duam ta bëjmë. Kam qenë i qartë. Është kundërshtuar”, ka thënë ai teksa ka shtuar se këto ide po shfaqen për shkak të paqartësisë në rajon e motivin e zbehur për rrugën drejt Evropës.

Sipas tij, plani kryesor që duhet të ndjekë Evropa është zgjerimi i saj me pranimin e shteteve të Ballkanit. Lajçaku s’ka pranuar të flasë se kush mund të jetë prapa non-paperave të publikuar së fundmi.

Për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se dialogu s’është top-prioritet për të, Lajçaku ka thënë se “në politikë s’mund të zgjedhësh prioritetet, por ato të zgjedhin ty”.

Sipas tij, dialogu është prioritet për të dy qeveritë dhe se ideja për punësim e drejtësi në Kosovë lidhen me integrimin evropian përmes dialogut.

Çështjen e paralajmëruar të Kurtit për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, Lajçaku e ka parë më shumë si “çështje elektorale”.

Ai ka thënë se një gjë e tillë s’do t’i bënte mirë dialogut.

“Është përmendur si çështje për të vendosur barazi. Është saktësisht dialogu si platformë e vetme ku ata janë palë të barabarta, baras mund të përfitojnë ose pësojnë. Taksa s’mund të shihet nën emrin e reciprocitetit. Kush përfitoi nga ajo? Askush. Jam për reciprocitet nëse hiqen të gjitha barrierat e jo nëse shtohen. Përgjigja është e qartë: Dialog”, ka thënë ai.

Lajçaku s’ka pranuar të flasë për afate kohore kur mund të përfundojë dialogu mes dy shteteve, edhe pse në të kaluarën kishte thënë se kjo është çështje muajsh.

Në anën tjetër, ish-Emisari Special i Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, Carl Bildt, ka thënë se ndër telashet kryesore për mosavancimin e Ballkanit është edhe zbehja e procedurës së zgjerimit të BE-së.

Ai i është përgjigjur Lajçakut se nëse s’funksionon plani A për dialog, rajoni po shkon drejt “planit B”.

“Non-paperi është në tavolinë. S’mendoj se mund të ndodhë menjëherë. Është e rrezikshme, por mund të rrëshqasim drejt planit B”, ka thënë ai.

Komento: