Lajmi i fundit: Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi në Hagë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Lajmi i fundit: Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi në Hagë

18:19 | 25 Nëntor 2021

Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi në Hagë.

Përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës , Angela Griep, ka bërë të ditur se të martën, trupi gjykues ia ka vazhduar paraburgimin Salih Mustafës.

Sipas saj, gjykatësit konstatuan se ekziston ende rreziku që i akuzuari të pengojë ecurinë e procesit të DHSK-së me anë të ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët.

“Ligji parasheh që gjykatësit të rivlerësojnë çdo dy muaj nëse ekzistojnë ende arsyet për mbajtjen në paraburgim të të akuzuarit. Këto arsye mund të jenë rreziku i arratisjes, rreziku i pengimit të procesit penal ose rreziku i kryerjes së të njëjtës vepër penale ose një vepre tjetër penale”, ka thënë ajo.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Lidhur me rastin ndaj Salih Mustafës, ajo ka thënë se ditën e hënë, të martë dhe të mërkurë të kësaj jave dhanë dëshmitë dëshmitari i tetë dhe dëshmitari i nëntë, të cilët dëshmuan me masa mbrojtëse, ku përfshihet përdorimi i pseudonimit si dhe ndryshimi i fytyrës dhe zërit.

Tutje, tha se që të dyve iu drejtuan pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar , mbrojtja, mbrojtësja e viktimave dhe gjykatësit.

Gjithashtu, ka thënë se ditën e martë, me kërkesë të gjykatësve, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi renditjen e re të dhënies së dëshmive prej dëshmitarëve për muajt janar dhe shkurt dhe vendosi të mos thërrasë një prej dëshmitarëve që kishte parashikuar fillimisht.

Kjo pasi dëshmitarët e mëparshëm kanë dhënë tashmë të njëjtën dëshmi dhe tha se seanca e ardhshme për këtë çështje do të mbahet më 13 dhjetor 2021, në orën 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, sa i përket çështjes gjyqësore kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, tha se trupi gjykues II bëri me dije se brenda 26 nëntorit synon të nxjerrë vendim lidhur me kërkesat e ekipeve të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, në “Urdhrin për Planin e Punës dhe Caktimin e Afateve për Hapat e Ardhshëm të Procesit” të datës 9 nëntor 2021.

“Në rast se gjykatësit refuzojnë kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarve, atëherë më 2 dhe 3 dhjetor do të mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen”, ka thënë Griep.

Krejt në fund, ajo ka thënë se ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës këtë javë u takua me grupe të ndryshme nga publiku i gjerë, të rinjtë dhe shoqëria civile në Llapllasellë, në zonën e Prishtinës dhe Gjilanit.

“Gjatë këtyre aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese, ekipi dha informacion për mandatin dhe zhvillimet e fundit të proceseve të Gjykatës dhe iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga pjesëmarrësit”, ka thënë Griep.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Komento: