Latifi: Flirti me Albin Kurtin po e shtyn LDK-në drejt tradhtisë ideologjike ndaj Rugovës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Latifi: Flirti me Albin Kurtin po e shtyn LDK-në drejt tradhtisë ideologjike ndaj Rugovës

21:09 | 04 Janar 2019

Ditëve të fundit në politikën kosovare ka pasur një përplasje të madhe deklaratash mes kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe zyrtarëve të lartë të LDK-së, siç janë Abdullah Hoti dhe Lutfi Haziri, lidhur me dialogun dhe ekipin e unitetit që pritet të përfaqësojë Kosovën në këtë dialog.

Në lidhje me këtë debat, gazeta Mapo pyeti Blerim Latifin, këshilltar politik i Veselit.

Në përgjegjen e tij, Latifi tha se “problemi më i madh i LDK-së gjatë këtij viti ka qenë njëlloj dileme hamletiane: të jesh apo të mos jesh pjesë e dialogut”.

Më tutje Latifi tha se “kur partitë pushtohen nga dilemat, kjo tregon se ato janë duke kaluar momente krize, sepse të kesh dilema do të thotë të kesh dyshime, do të thotë të mos dish se çfarë është duke ndodhur dhe se nga duhet të ecësh.

Pra mund të flasim për një situatë dizorientimi total të LDK-së”. Këtë situatë brenda LDK-së, Blerimi Latifi e sheh si “pasojë mungesës të informacionit në LDK mbi atë se çfarë është duke ndodhur në dhe rreth Kosovës”.

“Mungesa e informacionit pastaj shpie në analiza të gabuara të gjendjes dhe këto pastaj në vendimmarrje po ashtu të gabuara”.

Shkakun e kësaj situate kritike të LDK-së, Latifi e lidh me atë që ai e quan “flirti i politikëbërësve të LDK-së me analizat dogmatike të liderit të Vetëvendosjes, i cili, si profet politik, të gjitha të vërtetat për Kosovën dhe për botën, i zbulon në monologjet e tij”.

Në fund Latifi ka një sugjerim për këta politikëbërës: “Do të ishte mirë që Lutfi Haziri, Abdullah Hoti, e të tjerët të shpëtojnë veten dhe partinë nga rënia nën dikataturën interpretuese të Shokut Albin dhe kështu të dëshmojnë se nuk janë duke bërë tradhti ideologjike ndaj rugovizmit. Kur e them këtë, kam parasysh faktin se Rugova gjithmonë ka qenë njeri i dialogut, njeri që ka pranuar përfshirjen pa kushte në dialog”.

Latifi, duke folur në emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, theksoi se brenga e Veselit ka të bëjë me një gjë të vetme: nuk do të ishte mirë për vendin që LDK të përsërisë gabimet e dilemës së saj të kohës së luftës, e cila po ashtu ishte një dilemë hamletiane, të jesh apo të mos jesh pjesë e luftës.

Komento: