Lirohen nga akuza për korrupsion zyrtarët e Arkivit Komunal të Prishtinës

14:17 | 14 Dhjetor 2023
lirohen-nga-akuza-per-korrupsion-zyrtaret-e-arkivit-komunal-te-prishtines

Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi, zyrtarë të Arkivit Komunal të Prishtinës, janë liruar nga akuza për korrupsion.

Aktgjykimi u shpall të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ajvazi tha se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.

Ndryshe, prokurorja Arbëresha Shala në fjalën përfundimtare ka ndryshuar edhe dispozitivin e aktakuzës.

Në dispozitivin e ndryshuar, thuhej se i akuzuari Shasivari, në cilësinë e zyrtarit në Arkivin Komunal në Prishtinë, më 11 dhjetor 2014, ka shfrytëzuar detyrën-autoritetin e tij zyrtar, ashtu që në dokumentin e falsifikuar/marrëveshjen e arondimit me numër 44/63 të 24 janarit 1964, në emër të M.J., që ka qenë në procesin e rregullimit dhe “dokument” i paregjistruar në databazën e arkivit të komunës, e që është dashur të kontrollohet nga i akuzuari para se t’i dorëzohet palës M.J., e ka fotokopjuar duke mos përfillur procedurat dhe pa procervebalin për pranimin e dokumenteve/lëndëve.

Po ashtu, në dispozitivin e ndryshuar thuhej se këtë dokument, ia ka dorëzuar M.J., dhe me të ai më 16 dhjetor 2014 ka aplikuar në Drejtorinë Kadastrale të Kosovës dhe mbi bazën e këtij dokumenti të pavërtetë është bërë bartja e pronës në emër të M.J. Kurse, më 7 dhjetor 2016, është gjetur dhe sekuestruar dokumenti në zyrat e Arkivit pas zbatimit të urdhër-kontrollit nga Policia.

Kurse në lidhje me të akuzuarën Krasniqi, sipas dispozitivit të ndryshuar, thuhej se në pozitën e ndihmës arkivistes, pas kërkesës së 24 dhjetorit 2014 të Drejtorisë për Kadastër-Komuna e Prishtinës, edhe pse e ka pasur dokumentin e bashkëlidhur për krahasim e verifikim, nuk e ka verifikuar numrin e dokumentit 44/63, datën 24 janar 1964 dhe emrin e palës me regjistrat e dokumenteve me “dokumentin” KK-Prishtinë nr.44/63 të datës 24 janar 1964 në emër të M.J.

Tutje, thuhej se më 9 janar 2015 i është kthyer përgjigje me shkrim se lënda nuk gjendet në dosjet e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, kurse pas zbatimit të urdhër-kontrollit nga Policia, lënda me dokumentet origjinale në emër të V.S., si dhe provat materiale që e pandehura më 29 shtator 2014 ia kishte gjetur dhe dorëzuar palës M.T., i cili i kishte kërkuar me formularin e kërkesës, me çka ka mundësuar të bëhet bartja e ngastrës në emër të M.J., tani i ndjerë, duke i shkaktuar dëm NTSH “Ratar” Llapllasellë.

Me këtë, ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1. lidhur me par.2, pika 2.2. të Kodit Penal.

Komento: