Mbahet protestë kundër dhunës ndaj grave në Prishtinë

13:24 | 05 Dhjetor 2021

Një protestë është mbajtur në Prishtinë.

Me moton “Boll Ma – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, organizata joqeveritare Artpolis, mbajti të dielën, më 5 dhjetor, një protestë në Prishtinë, kundër dhunës ndaj grave.

Protestueset, të veshura me rroba të bardha dhe me shenja dhune të improvizuara në fytyrë, marshuan në sheshet kryesore të Prishtinës, për t’u ndalur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku vendosën në tokë një pano me moton e kësaj proteste.

Organizatorët e kësaj proteste thanë se po kërkojnë drejtësi për vajzat dhe gratë e abuzuara në familje dhe shoqëri si dhe drejtësi për ato që humbën jetën si pasojë e dhunës në familje.

Udhëheqësja e organizatës Artpolis, Zana Hoxha tha se abuzimi sistematik i vajzave dhe grave dhe vdekjeve të tyre si pasojë dhunës po ndodh edhe për shkak të mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe “ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave”.

Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, deri në shtator të vitit 2021, viktima të dhunës në familje janë raportuar se kanë qenë 1,437 gra dhe 408 burra.

Çdo vit, që nga 2018-ta, së paku 1,000 gra janë raportuar si viktima të dhunës në familje.

Më 25 nëntor u shënua Dita Ndërkombëtare për Ndalimin e Dhunës ndaj Grave dhe që nga kjo datë, për 16 ditë, organizohen aktivitete të ndryshme kundër dhunës ndaj grave.

Komento: