Mbi 130 milionë euro borxhe janë mbledhur nga ATK-ja gjatë vitit 2021

16:01 | 29 Dhjetor 2021

ATK-ja: Mbi 130 milionë euro borxhe janë mbledhur gjatë vitit 2021.

Ilir Murtezaj, drejtor i përgjithshëm i ATK-së, sot në një konferencë për medie ka prezantuar të arriturat e kësaj agjencie për vitin 2021.

Murtezaj tha se gjatë këtij viti kanë krijuar lehtësira të mëdha për tatimpaguesit, duke bërë që shumë shërbime të mund t’i kryejnë në mënyrë elektronike.

Ai tha se gjatë këtyre ditëve janë duke punuar që të fillojnë me reformimin e sistemit të ri të IT-së, i cili do ta dërgojë ATK-në në tjetër nivel.

Sipas Murtezajt gjatë këtij viti janë mbledhur mbi 130 milionë borxhe, që i bie sa përgjatë viteve ka rritje 34 për qind të vlerës së inkasuar dhe kjo sipas tij ka ardhur për shkak të reformës për grumbullimin e borxheve.

“Gjatë viti 2021 kemi rritje të inspektimeve dhe rritje të gjobave për bizneset që nuk kanë lëshuar kuponë fiskalë ose s’kanë bërë deklarime”, ka thënë Myrtezaj.

Murtezaj po ashtu tha se pritjet janë 595 milionë euro të jenë të hyrat tatimore deri në fund të këtij viti.

Ai shtoi se në vitin 2021 janë formalizuar 357 mijë punëtorë.

Ai iu drejtua me një kërkesë edhe ministrit të financave Hekuran Muratit, ku i tha se ndoshta duhet të bëhet një ndryshim kur merren punëtorë të rinj, punëdhënësi t’ia krijojë kontratën punëmarrësit një ditë ose dy para se ai të fillojë punën, në mënyrë që të shmangen edhe ato dallavere që i bëjnë bizneset duke thënë se sot ose dje ka filluar punën punëtori e duke mos pasur dokument për të.

Murtezaj ka theksuar se gjatë këtij viti ka pasur 16.7 milionë euro deklarime elektronike dhe 126 mijë tatimpagues në mënyrë elektronike.

Komento: