Mbi 20 të arrestuar në aksionin “subvencionet”

13:03 | 03 Dhjetor 2021

Aksioni “Subvencione” po zhvillohet në disa komuna.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke realizuar aksionin “Subvencione” në disa qytete të Kosovës.

Lajmin për Demokracia.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jipen informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Kelanit.

Raportohet se mbi 20 persona janë arrestuar gjatë këtij aksioni, ku katër prej tyre janë zyrtarë në Ministrinë e Bujqësisë në Istog, të cilët dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sinjali shkruan se katër zyrtarët e drejtorisë së Bujqësisë, që u arrestuan në Komunën e Istogut janë Valbona Kaliqani, Adrian Ramqaj, Jeton Sylaj dhe Granit Lubeniqi.

Kujtojmë se Krimet Ekonomike në aksionet e mëhershme kanë arrestuar mbi 20 zyrtarë nën dyshimin për abuzime me subvencione në AZHB. Arrestimi i tyre është bërë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në detyrë dhe marrje ryshfeti. Arrestimet e para kishin ndodhur në muajin shkurt.

Komento: